
Sinan Idrizi dëshiron Mirel Josën trajner të Flamurtarit. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se kanë nisur bisedimet me teknikun 62-vjeçar, që së fundmi ka drejtuar ekipin e Suharekës në Kosovë.
Në një kohë kur po përfliten shumë emra për drejtimin e pankinës vlonjate, si vendas, ashtu edhe të huaj, disa pëlqime të klubit dhe disa vetafrime të kandidatëve apo sugjerime të menaxherëve të tyre, me Josën çështja është ndryshe. Kur orët po ikin shpejt dhe “rripi po ngushtohet”, me sa mësohet, administratori Idrizi në morinë e shumë emrave që ka pasur në tavolinë, zgjedhje të preferuar ka Mirel Josën. Madje, tashmë edhe e ka bërë përzgjedhjen që është… trajneri kryeqytetas. Por mbetet edhe në dorën e Josës të pranojë ofertën, që, për hir të së vërtetës parashikohet të jetë “e majme”.
Josa ka një eksperiencë të gjatë dhe e njeh mjaft mirë Superioren. Ai ka drejtuar Tiranën, Vllazninë, Teutën, Skënderbeun, Shkumbinin, Laçin, Kukësin dhe Besën. Josa ka qenë trajner edhe në Kosovë, te skuadrat e Prishtinës, Vëllazënimit dhe Suharekës. E ndërsa i ka provuar thuajse të gjitha ekipet e Superiores në Shqipëri, i mungon një aventurë te Flamurtari, ndërsa është koha të bëhet realitet. Me ardhjen e Josës mund të ketë edhe ndryshim planesh, ku mund të kemi ndryshime fatesh për të ardhmen e grupit që mbylli sezonin e fundit në Kategorinë e Parë. Josa e njeh Flamurtarin, pasi në pjesën e parë të sezonit të shkuar trajneri kryeqytetas drejtoi Besën dhe i kishte rivalë si në kampionat dhe Kupë.
Ankandi për trajner – Sinan Idrizi vendos “kokë” të ankandit për trajnerin e ri, drejtorin e klubit, Alfred Ferko. Ky i fundit po mban kontakte të vazhdueshme me kandidatët për trajner. Nga shqiptarët, duket se është zbehur kandidatura e vlonjatit Gentjan Mezani. Trajneri vlonjat duket se nuk është kuotuar me pikë maksimale nga bordi i klubit. Në lojë vijon të mbetet edhe Shpëtim Duro. Sa u përket të huajve, Xhani de Biazi mbetet një pistë e largët për shumën e çmendur prej 500 mijë euro që kërkoi. Por në “tavë” janë edhe teknikët italianë, Serse Kozmi dhe Luixhi de Kanio. Trajneri i ri i Flamurtarit pritet të emërohet deri në fund të kësaj jave. Afati është shtyrë, për shkak të kohës që kanë kërkuar palët.
Lini një Përgjigje