
Berat Gjimshiti mund të jetë një nga emrat më të përfolur të merkatos së verës në Serinë A. Qendërmbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë është në radarët e Juventusit, i cili po shqyrton mundësinë për ta transferuar falas në fund të sezonit aktual.
Gjimshiti, i lindur në vitin 1993, është në muajt e fundit të kontratës me Atalantën. Aktualisht, palët janë në bisedime për rinovimin e marrëveshjes, me synimin që mbrojtësi të vijojë të jetë pjesë e skuadrës nga Bergamo, ku prej vitesh ka një rol të rëndësishëm si në fushë, ashtu edhe në dhomën e zhveshjes.
Deri më tani, nuk ka një konfirmim zyrtar për arritjen e një marrëveshjeje të re, çka lë të hapur mundësinë e largimit të tij si lojtar i lirë.
Sipas raportimeve mediatike, Juventusi po monitoron situatën dhe e konsideron Gjimshitin si një opsion me kosto zero për sezonin e ardhshëm. Përvoja e tij e gjatë në Serinë A dhe njohja e mirë e kampionatit italian e bëjnë atë një profil tërheqës për bardhezinjtë.
Në garë për shërbimet e mbrojtësit shqiptar përmenden edhe Roma dhe Milani, të cilat po ndjekin zhvillimet rreth kontratës së tij me Atalantën.
E ardhmja e Gjimshitit pritet të varet nga rezultati i negociatave me Atalantën në javët e ardhshme. Deri atëherë, interesi i klubeve të mëdha italiane shton spekulimet për një lëvizje të mundshme gjatë merkatos së verës.
Lini një Përgjigje