
Pas rënies së bilbilit, lojtarët e Kroacisë ranë në gjunjë, duke e ditur se sa e fortë do të ishte goditja.
Barazimi i Shqipërisë me Kroacinë ka bërë bujë në mediat e huaja. BBC Sport shkruan se Shqipëria arriti një barazim dramatik në kohën shtesë për t'i mohuar Kroacisë një fitore që dëmton rëndë shpresat e finalistëve të Kupës së Botës në 2018. Sipas saj, duket se kjo ndeshje konfirmoi se epoka e artë e Modriçit me shokë ka përfunduar.
“Në atë që ishte një fund kaotik, por argëtues i lojës, shqiptarët arritën të merrnin një pikë kur Klaus Gjasula shënoi golin e barazimit në minutën e 95-të duke çmendur tifozët shqiptar. Dukej se ndeshja do të përfundonte sërish me një zemër thyerje për Shqipërinë, duke lënë pas një tjetër epërsi që e arriti që në minutat e para në të dy ndeshjet. Qazim Laçi shënoi në minutën e 11-të dhe skuadra e tij më pas u mbrojt në mënyrë të shkëlqyer për më shumë se një orë, teksa dukej në prag të një fitorje të madhe. Por Kroacia e ktheu lojën në mënyrë të pabesueshme në Volksparkstadion të Hamburgut, kur ish-sulmuesi i Leicester-it, Andrej Kramariç, shënoi golin e barazimit, përpara se gjuajtja e Luka Susiç të devijohej nga Gjasula dhe topi të hynte në rrjetën e Shqipërisë”, shkruan BBC Sport.
Artikulli i plotë
Mund të mos ketë qenë një fitore, por për Shqipërinë sigurisht që është ndjerë e tillë.
Një largim i hershëm nga Kampionati Europian i kësaj vere në Gjermani ka ende shumë gjasa për Shqipërinë, siç janë gjasat që ata të largohen pa fitore, por ata kanë treguar se nuk kanë ardhur këtu vetëm për shifrat.
Ata shënuan pas 23 sekondash kundër Italisë edhe pse humbën 2-1, dhe sot ata përsëri kaluan në epërsi të parët, përpara se të rikuperonin për të fituar barazimin.
"Ne jemi krenarë", tha më pas trajneri i Shqipërisë Sylvinho. "Kombi duhet të jetë krenar për rezultatin dhe performancën”. “Lojtarët dhnë gjithçka brenda fushës. Ishte e mahnitshme”.
Edhe pse ishte barazim, përjetimi ishte shumë i ndryshëm për Kroacinë. Vetëm dy vjet pasi mposhtën Brazilin për të arritur në gjysmëfinalen e Kupës së Botës në Katar, ata po përballen me një perspektivë shumë reale për t'u larguar nga ky turne në fazën e grupeve.
Pas rënies së bilbilit, lojtarët e Kroacisë ranë në gjunjë, duke e ditur se sa e fortë do të ishte goditja. Pas dy ndeshjeve në Grupin B ata kanë vetëm një pikë dhe duhet të mposhtin Italinë në ndeshjen e tyre të fundit, për të pasur një shans kalimi në fazën e dytë.
"Lojtarët kroatë ishin të acaruar," tha ish-futbollisti i Premier League Clinton Morrison në BBC Radio 5 Live.
“Ata e dinë se kanë një ndeshje të vështirë kundër Italisë, duhet të vazhdojnë të besojnë, por gjuha e trupit të tyre duket sikur janë jashtë”, tha ai.
Kroacia po i afrohet fundit të epokës së artë?
Ky rezultat ngre pikëpyetje për ecurinë e Kroacisë. Më parë, ata kishin qenë në një pozicion disi të ngjashëm me atë në të cilin ndodhet tani Shqipëria. Ata ishin të dobëtit që tronditën skuadrat e mëdha, megjithëse kishin disa lojtarë me emër që i ndihmuan të shkonin larg në turnetë e mëdha.
Në Kupën e Botës në 2018 ata mundën Argjentinën dhe Anglinë në rrugën e tyre për të arritur në finale, pastaj katër vjet më vonë ata eliminuan Brazilin përpara se të përfundonin të tretët.
Mesfushori i Real Madridit, Luka Modric luajti në të dyja Kupat e Botës dhe ai është hajmalia e tyre edhe një herë këtu në Gjermani. Por ai tani është 38 vjeç, ndërsa lojtarët e tjerë kyç nga turnetë e kaluara si Andrej Kramaric dhe Ivan Perisic janë në të 30-at.
Paaftësia e Kroacisë për t'iu përshtatur ritmit të Shqipërisë sugjeron se lojtarët kryesorë të vendit, të konsideruar si brezi i tyre i artë, mund të jenë drejt “pensionimit”.
"Kupa e Botës ishte dy vjet më parë dhe lojtarët tanë po rriten", tha trajneri i Kroacisë, Zlatko Dalic.
“Por ky turne na ka treguar se të gjithë e kanë të vështirë”.
“Për Portugalinë ishte e vështirë të fitonin kundër Republikës Çeke dhe gjithashtu për Anglinë kundër Serbisë, kështu që ky turne është vërtet i hapur dhe të gjitha ekipet janë goxha të barabarta”, shtoi ai. /Pamfleti
Lini një Përgjigje