TAGS-AT E JAVËS

Sport14 Mars 2023, 23:08

Barazim me “zemër në dorë” ndaj Portos, rikthim magjik i Interit në Champions, Haland masakron rekordet e Ligës së Kampioneve

Shkruar nga Pamfleti
Barazim me “zemër në dorë” ndaj Portos, rikthim

Interi është rikthyer në çerekfinalen e Champions League. Pas fitores 1-0 në ndeshjen e parë me Porton, sonte në “Estadio de Dragao” mori një barazim 0-0 që i jep biletën për në fazën tjetër.

Portugezët u treguan shumë të rrezikshëm në minutat e para, fillimisht me Uribe e më pas me Eustakion. Zikaltërit u kundërpërgjigjën me Xhekon, por sulmuesi boshnjak nuk mundi të bënte ndryshimin. Di Marko ishte hero i ekipit të Inzagit, pasi shpëtoi skuadrën nga një gol i sigurtë i Evanilson.

Ekipi i Serxhio Konseisaos rriti presionin në 45 minutat e dytë, por sërish pati vështirësi në konkretizim, goditje pa limit në drejtim të portës së mbrojtur nga Onana, por pa rezultat. Të besuarit e Inzagit mbrojtën deri në fund rezultatin, duke marrë kështu një barazim që mban shijen e fitores.

Mançester Siti nuk e diskutoi për asnjë moment kalimin në fazën tjetër, pasi sonte mundi 7-0 Lajpcigun (1-1 Ndeshja e parë).

Pjesa e parë ishte fantastike për Erling Haland, i cili mori për dore skuadrën drejt suksesit. Sulmuesi me pasaportë norvegjeze shndërroi në gol një penallti në minutën e 22, ndërsa vetëm pas pak sekondash realizoi përsëri.

Shfaqja e bomberit nuk përfundoi ende, pasi në fundin e fraksionit përmbushi 3-golëshin personal. Duke arritur kuotën e 33 golave në këtë turne, Haland tashmë ka kaluar disa legjenda të futbollit si Trezege, Klaivert, Kaka, Eto’o, Rusi, Luis Suarez, Roben apo Van Persi, pa harruar këtu edhe lojtarë që janë ende në aktivitet si Grizman, Xheko, Mane apo Sterling.

Pjesa e dytë nisi aty ku përfundoi e para, edhe Gyndogan gjeti rrugën e rrjetës. Haland dukej i papërmbajtshëm, pasi u takua edhe 2 herë të tjera me golin. Në limite, pati kohë edhe për De Brojne, i cili shtoi emrin në listën e golashënuesve. “Qytetarët” mbeten një nga skuadrat pretendente për t’i shkuar deri në fund rrugëtimit.

inter porto mançester siti lajpcig champions league

Lini një Përgjigje