TAGS-AT E JAVËS

Sport 9 Janar 2026, 21:28

“Asllani do të rigjejë veten te Xhirona”, Altin Lala ‘skanon’ merkaton shqiptare: Lojtarët duhet ta nisin nga ligat e ulta

Shkruar nga Pamfleti

“Asllani do të rigjejë veten te Xhirona”, Altin Lala

Muaji janar në futboll përkon me një periudhë pushimesh dhe në të njëjtën kohë lëvizjes së lojtarëve.

Në futbollin shqiptar ndërkohë që më tepër ka rikthime, vështirë të gjesh shembuj transferimesh në perëndim. Altin Lala, ish-kapiteni i kombëtares kuqezi, sot është promotor dhe menaxher i talenteve të futbollit, kryesisht shqiptarëve. Në një intervistë për “Top Channel”, Lala tregon se si është situata e interesimit për futbollistët e kampionatit tonë.

Kur lash futbollin provova të isha pjesë e stafeve teknike, ku isha zv trajner i kombëtares A dhe ekipit kuqezi U-19. Por afatgjatë gjithmonë doja të bëja rolin e menaxherit të futbollit. Si fillim kisha lojtarin e përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashicën, më pëlqen më tepër kjo fushë. Në kampionatin shqiptar, ndërkohë, kam 4 lojtarë, si Mario Dajsinani, Klevi Qefalia, Adrian Doçi dhe Grei Kuçi që luan te Teuta. Këto vitet e fundit ka një lëvizje në transfertat e lojtarëve shqiptarë”, u shpreh menaxheri i futbollit, Altin Lala.

A mundet një futbollist i Superligës të kalojë në një kampionat apo skuadër të njohur europiane?

Tani nuk ka më transferime nga Superliga në kampionatet e mëdha europiane dhe unë mendoj se një hap në Ligat B të Top 5 Ligave në Europë është shumë i mirë, por direkt në Ligat A është e pamundur, duke parë intensitetin e lojës dhe qendrueshmërinë, është e vështirë që të arrihet nga lojtarët e kampionatit tonë. Shumë të rralla janë rastet që kanë ndodhur si për shembull Uzuni, që kaloi disa liga apo Rrahmani që kaloi etapat deri sa shkoi te Napoli ku u shpall dy herë kampion dhe po bën një karrierë fantastike”, tha Lala.

Ndërkohë që shpesh në tratativat dhe lëvizjet e lojtarëve janë prindërit ata që ndikojnë jo për mirë, Lala thekson se të lindësh në Shqipëri apo në Europë, ka diferencë të madhe në mundësitë e transferimit të një lojtari.

Rasti i lojtarëve shqiptarë që luajnë sot në ligat e mëdha, si Broja, që ka lindur në Angli, Asllani në Itali apo Bajrami në Zvicër, vjen si rrjedhojë e një edukate tjetër sportive dhe padyshim shanseve shumë më të mëdha se sa lojtarët që lindin dhe rriten në Shqipëri. Ndërkohë nga lojtarët e kombëtares sonë besoj se shanset më të mëdha për të shkuar lartë i kanë, Medon Berisha dhe Kristjan Asllani që janë edhe në moshë të re. Asllani besoj do të rigjejë veten te Xhirona, ndërsa Medon Berisha më pëlqen shumë se si luan dhe besoj se ai do të bëjë shumë përpara për të arritur në nivelet e Champions League”, tha ai.

Në fund një parashikim i ish-kapitenit për shanset e Shqipërisë në “play-off”-in e Botërorit.

Shanset janë shumë të mira, pavarësisht se Polonia është një skuadër jo e lehtë, por e kalueshme. Në fillim do të na duhet të ruajmë rezultatin dhe të mos pësojmë gol, më pas do ta gjejmë një mënyrë të shënojmë. Nëse ne nuk do t’i lejojmë të krijojnë shumë raste, tifozëria e tyre është shumë kritike dhe mund t’i kthehet kundra e t’i ushtrojë presion skuadrës së tyre. Ky do të ishte çelësi, shanset janë 50/50 për mendimin tim”, u shpreh Altin Lala.

 

altin lala ish-kapiteni i kombëtares shqiptare

Lini një Përgjigje