
Reali i Madridit fiton Champions League e 15 në historinë e klubit. Spanjollët mposhtën me rezultatin e pastër 0-2 Borusian e Dortmundit.
Ndeshja e luajtur në mitikun “Uembli u zhbllokua nga goli i Dani Karvahal në minutën e 74. Pas një harkimi nga këndi, mbrojtësi spanjoll devijoi saktë me kokë, duke përshëndetur rrjetën!
Kur mendohej se ndeshja do të përfundonte këtu, madrilenët gjetën edhe golin e dytë dhe të qetësisë në minutën e 83. Vinisius Zhunior dyfishoi shifrat, pas asistit të Belingham, duke çuar në delir tifozët madrilenë.
Sfida nisi me një të papritur, ku pas vetëm 20 sekondash lojë ndeshja u ndërpre për shkak se një tifoz hyri në fushë.
Loja në minutat e para u përqendrua në mesfushë, edhe pse të dyja skuadrat provuan të rrezikonin portat kundërshtare.
Në minutën e 15, provoi Vinisius me një gjuajtje nga brenda zonës, por topi shkoi shumë larg kuadratit. Ndërkohë rasti më i pastër për gol i përket minutës së 22, teksa Adejemi i gjendur i vetëm para Kurtua nuk arriti të shënonte.
Në minutën e 23, shtylla i mohoi golin gjermanëve. Ishte Fulkryg ai që “flirtoi” me avantazhin, por u ndal nga shtylla.
Edhe pse Dortmundi arriti të dominonte sfidën, nuk arriti të ngrinte lart trofeun me veshë të mëdhenj. Verdhezinjtë e kanë fituar për herë të fundit Champions League në vitin e largët 1997.
Në muajin gusht, Reali i Madridit do të ndeshet me Atalantën për të diskutuar trofeun e Superkupës së Europës.
Lini një Përgjigje