
Anis Mehmeti është zyrtarisht lojtar i Ipsuiç në Angli. Sot u kryen vizitat mjekësore, për të ardhur më pas zyrtarizimi i transferimit. Kontrata e firmosur me klubin e Championship është e vlefshme deri në vitin 2029.
Në një intervistë për faqen zyrtare të klubit, Mehmeti u shfaq i lumtur për këtë transferim:
“Jam shumë i emocionuar që kam nënshkruar me Ipsuiç. Çdo gjë që klubi po përpiqet të arrijë përputhet me ambiciet e mia dhe kjo flet vetë. Tifozët janë të mrekullueshëm dhe mezi pres të luaj para tyre. Jam një lojtar i uritur me dëshirë për të fituar dhe dua të shënoj gola, të asistoj dhe të bëj gjithçka që mundem për të ndihmuar ekipin. Të gjithë e dinë se ambicia është të ngjitemi përsëri në Premier Ligë dhe unë jam këtu për të na ndihmuar ta arrijmë këtë”, u shpreh ndër të tjera Anis Mehmeti.
View this post on Instagram
Shifra e transferimit nga Bristol Siti nuk është bërë publike. Kalimi te një klub tjetër i Championship nuk mund të ndalohej, pasi sulmuesi shqiptar do të mbetej pa kontratë në fundin e sezonit.
Mehmeti largohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm të dy sezoneve të fundit te Bristoli. Në total do mbajë kujtimin e 26 golave dhe nëntë asistimeve. Ky largim ndërkohë ishte paralajmëruar tri ditë më parë.
Kalimi tek Ipsuiç është hap i madh në karrierë, pasi Ipsuiç synon ngjitjen direkt në Premier Ligë. Aktualisht mban vendin e tretë në renditje me dy pikë më pak se vendi i dytë.
Trajner te klubi i ri i Mehmetit është Kieran MekKena. 39-vjeçari anglez konsiderohet si një nga më premtuesit.
Lini një Përgjigje