
Kombëtarja shqiptare do të presë ditën e nesërme në “Air Albania” Gjeorgjinë. Dy ekipet do të bëjnë mes tyre llogaritë për vendin e parë në grupin B1 të Ligës së Kombeve.
Sfidë kjo që do të startojë në orën 20:45, teksa “Air Albania” pritet të jetë i mbushur plot për këtë sfidë. Një kundërshtarë jo shumë i lehtë për kuqezinjtë, me gjeorgjianët që jo më kot janë cilësuar si surpriza e “EURO 2024”.
Edhe historia e përballjeve direkte mes tyre tregon që gjeorgjianët janë dominues ndaj kuqezinjve. Në 15 ndeshjet e kaluara mes tyre, 8 janë fituar nga kundërshtarët, 3 takime kanë arritur të fitojnë kuqezinjtë dhe 4 të tjera kanë përfunduar në barazim.
Kombëtarja kuqezi ia ka dalë të shënojë 13 gola në portën e gjeorgjianëve, ndërsa këta të fundit kanë tundur rrjetën tonë plot 23 herë. Ditën e nesërme të gjithë tifozët kuqezi do të kryqëzojnë gishtat që pas triumfit spektakolar me Ukrainën, kuqezinjtë të sigurojnë një tjetër 3 pikësh me shumë vlerë në Ligën e Kombeve.
Lini një Përgjigje