TAGS-AT E JAVËS

Lifestyle 1 Maj 2026, 13:56

Vajza kujdes! Solarët mund t’ju shkatërrojnë deri në ADN

Shkruar nga Pamfleti
Vajza kujdes! Solarët mund t’ju shkatërrojnë deri në
Vajza kujdes! Solarët mund t’ju shkatërrojnë deri në ADN

Një “nxirje perfekte” mund të ketë një çmim shumë më të lartë nga sa mendohej. Një studim i ri i publikuar në Science Advances hedh dritë mbi një realitet shqetësues: solarët nuk ndikojnë vetëm në pamjen e lëkurës, por e dëmtojnë atë në thelb, madje deri në ADN.

Kërkimi, i realizuar nga Northwestern University dhe University of California San Francisco, tregon se rrezatimi ultravjollcë artificial lë “gjurmë” të përhapura në lëkurë, shumë më të thella sesa ato që shkakton dielli. Në qendër të alarmit është melanoma: forma më agresive e kancerit të lëkurës.

Çfarë zbuluan shkencëtarët?


Pas analizës së mbi 32 mijë pacientëve dhe studimeve gjenetike në nivel qelizor, rezultoi se përdoruesit e solarëve kishin pothuajse dyfish më shumë mutacione në ADN. Edhe më shqetësuese: dëmet shfaqeshin në zona të trupit që zakonisht nuk ekspozohen fare ndaj diellit.

Studimi u drejtua nga dermatologu A. Hunter Shain dhe bashkëautori Bishal Tandukar, të cilët paralajmërojnë se dëmet janë të pakthyeshme. “Një mutacion nuk mund të zhbëhet, prandaj parandalimi është kyç”, theksojnë ata.

Rreziku rritet ndjeshëm


Të dhënat flasin qartë: përdorimi i solarëve lidhet me një rritje gati trefish të rrezikut për melanomë, shfaqje të kancerit në zona të pazakonta dhe një “plakje” të përshpejtuar gjenetike të lëkurës.

Nuk është rastësi që Organizata Botërore e Shëndetësisë i klasifikon solarët në Grupin 1 të kancerogjenëve, në të njëjtën kategori me duhanin dhe asbestin. Arsyeja? Rrezatimi UV depërton thellë, dëmton drejtpërdrejt ADN-në dhe krijon mutacione që mund të çojnë në kancer.

Mesazhi i ekspertëve është i drejtpërdrejtë: nxirja artificiale mund të duket estetikisht tërheqëse, por pas saj fshihet një rrezik real dhe i qëndrueshëm për shëndetin. Shmangia e solarëve mbetet një nga mënyrat më të sigurta për të mbrojtur lëkurën, dhe jetën.

solar adn

Lini një Përgjigje