
Duke qenë se sezoni veror po afron, rriten edhe përpjekjet për të bërë këngë sa më komerçiale, në mënyrë që të thithen sa më shumë klikime prej tyre. E duke dashur të bësh para’ sa më shumë, do sakrifikohet edhe arti.
Kënga e shumë pritur e Getoarit dhe Luizit doli të jetë një paçavure skandaloze me një tekst që të vjen turp ta dëgjosh kur je vetëm e le më në shoqëri të të tjerëve.
Të bësh këngë me përmbajtje sensuale apo edhe seksuale nuk ka asgjë të keqe, kur di ta bësh në mënyrën më artistike të mundshme, por të fyesh inteligjencën e publikut me tekste të tipit ‘ding ding’ apo ‘rrehe rrehe’ nuk ka më asgjë artistike.
Përveç kësaj rrjeti ‘po zien’ nga idea se muzika e këngës është një plagjiatura e gjitha, pasi ngjason tej mase me këngën turke të Acar dhe Kayra Kayan ‘Yalniz Kaldin’.
Videoklipi nuk mund të ishte më i plotësuar se me gomarin në sfond, një simbol i budallallëkut që ka pushtuar ekranet këto kohë…dhe jo vetëm. Aq i sigurtë ka qenë realizuesi i klipit për suksesin e Getit dhe Luizit, sa nuk e ka marrë mundimin t’i koordinojë paksa këngëtarët, të cilët lëviznin pa lidhje me njëri-tjetrin, aq sa klipi dukej sikur ishte montuar nga dy filmime të ndryshme.
Sigurisht që nga këto dy figura pritej shumë, por i njëjti publik që të vlerëson, të hedh shumë shpejt kur përpiqesh të bësh sukses, duke shitur për ‘hit’ një budallallëk me brirë. Geti, Luizi, apo kushdo qoftë, mos ofendoni audiencën që ju duartroket, sepse di të dallojë fare mirë çfarë vlen dhe çfarë nuk vlen! Me këtë ‘zero me xhufkë’, përveçse keni vënë në pikëpyetje vlerat tuaja si artistë, i keni sjellë ‘zorrët në gojë’ edhe publikut. /Pamfleti
Lini një Përgjigje