
“Alpha Show 2” e ka bërë Noizy-n të ulet dhe të reflektojë për gjithë këto vite karrierë. Teksa na ndajnë edhe 4 ditë nga koncerti, reperi është shfaqur më emocional se asnjëherë më parë.
Ai ka ndaluar dhe ka reflektuar, falënderuar miqtë, personat e afërt dhe familjarët, si dhe u ka kërkuar atyre një ndjesë publike dhe të sinqertë për të gjitha sfidat dhe shqetësimet që mund t’u ketë sjellë gjatë karrierës dhe rrugëtimit të tij.
“Kur isha në Angli, sapo ishim formuar si grup u thashë miqve të mi më të afërt: Hej unë do të iki në Shqipëri dhe ju premtoj se do të bëhem artist shumë i madh, më i madhi. Gjithë çunat e mi u mërzitën shumë sepse isha unë ai që e kisha krijuar grupin dhe mendonin se si lideri, personi që investoi kaq shumë energji e kohë tek grupi… mund të ikte me mendjen se në Shqipëri do të bëjë diçka të jashtëzakonshme. Atë bëra në fakt. Erdha në Shqipëri dhe investova gjithë kohën time në muzikë. Lashë vetën time në një anë, nuk u kujdesa për shëndetin e veten duke u marrë vetëm me muzikën. Dhe ja ku jemi sot, e për këtë sinqerisht dua të falënderoj gjithë miqtë e mi që patën besim tek unë, më mbështeten e s’më lanë asnjëherë ta bëjë rrugën vetëm”.
Më pas ai u kërkon edhe falje miqve:
“Sepse ndonjëherë unë nxitohem e jam pak nevrik, e ndaj dhe ata ma falin shumicën e kohës. Por asnjëherë nuk i kam qëllimet e këqija as ndaj atyre e as ndaj çfarëdo lloj personi kështu që miq, dashamirës ju falënderoj nga zemra që më keni mbështetur të vij deri këtu. Nuk janë fjalë që thjesht po i përsëris por askush nuk mund të arrijë asgjë pa miq e pa njerëz që ta duan të mirën”.
Fjalët më prekëse Noizy ia dedikon familjes së tij.
“Familjen time dua ta falënderoj por edhe t’i kërkoj falje. Do t’i falënderoj që më kanë mbështetur, më kanë dhënë forcë e nuk janë dorëzuar asnjëherë me mua. Do t’ju kërkoj falje për telashet që ju kam sjellë pa dashje. Fakti që familja ime është bërë një familje që e njeh gjithë Shqipëria, ç’ka nuk ka qenë qëllimi i tyre, as i mamit, as i babit e as i motrës, duhet t’i ketë shqetësuar. Do t’i kërkoja falje edhe sepse privatësia e familjes sime, pa dashje, në një farë mënyre është shitur, për vetë faktin se djali i tyre është Noizy, është ky që është sot dhe ndoshta ju kam sjellë dhe telashe nga kjo gjë. Ju kërkojë falje e ndjesë që ju bëra shumë të famshëm dhe ju falënderoj që s’jeni dorëzuar!”
Në fund Noizy thotë se vërtet zemra e Rigelsit, djalit të familjes Rajku i përket asaj, familjes së vogël, por gjithsesi fansat e grupit OTR s’duhet të mërziten sepse koncertin e 4 Gushtit ua dedikon atyre.
“Ju pres aty, unë dhe gjithë grupi im!”, e mbyll Noizy rrëfimin e tij.
Lini një Përgjigje