
Një paciente me Parkinson luajti në klarinetë, ndërsa po kryente një ndërhyrje në tru, duke u mundësuar kirurgëve të shihnin rezultate të menjëhershme.
65-vjeçarja Denise Beacon shfaqi përmirësim të menjëhershëm në lëvizjet e gishtave teksa mjekët i stimulonin trurin me rrymë elektrike, raporton Sky News.
Terapistja britanike iu nënshtrua një ndërhyrjeje që zgjati katër orë për stimulimin e thellë të trurit pas shfaqjes së simptomave të Parkinsonit. Simptomat përfshinin ngadalësim të lëvizjeve, tendosje dhe ngurtësim të muskujve.
Ajo ishte diagnostikuar në vitin 2014 dhe i ndikoi në aftësinë për të ecur, notuar, kërcyer dhe luajtur në klarinetë. Ndërhyrja tregoi përmirësim të menjëhershëm te gishtat duke i mundësuar të luante lehtësisht në instrumentin muzikor.
Ndërhyrja, e quajtur DBS, është e përshtatshme për pacientët me Parkinson dhe kryhet duke vendosur elektroda në tru. Beacon-it iu aplikua anestezi lokale për t’i mpirë skalpin dhe kafkën.
Sipas neurokirurgut Keyoumars Ashkan, pacientes iu bënë vrima në kafkë sa gjysma e një monedhe pasi u kryen matjet e nevojshme për pozicionet e sakta ku duheshin vendosur elektrodat.
Lini një Përgjigje