Figura të njohura të artit dhe muzikës britanike, mes tyre Mick Jagger, Eric Clapton, Felicity Kendal dhe Harry Hill, kanë arritur të bllokojnë projektin për ndërtimin e një kulle 29-katëshe pranë brigjeve të River Thames në Londër.
Artistët dhe banorët lokalë zhvilluan një betejë dy-vjeçare kundër kompanisë Rockwell Property, e cila synonte të ndërtonte një godinë rreth 100 metra të lartë pranë Battersea Bridge, në jugperëndim të kryeqytetit britanik.
Mick Jagger, 82 vjeç, i cili jeton prej dekadash në zonë, e cilësoi projektin si “krejtësisht të gabuar në çdo nivel”, duke shprehur shqetësimin se ndërtime të tilla do të ndryshonin përgjithmonë pamjen historike të brigjeve të Tamizit.
“Kam jetuar në këtë zonë për shumë vite dhe më intereson çfarë do të ndodhë me të. Nëse kjo vazhdon, mund të hapë rrugën për më shumë ndërtesa të larta, duke transformuar përgjithmonë këtë pjesë të mrekullueshme të lumit”, deklaroi ai për gazetën “Chelsea Citizen”.
Edhe Eric Clapton reagoi ashpër ndaj projektit, duke paralajmëruar se miratimi i kullës do të krijonte precedent për zhvilluesit e tjerë.
“Nëse kjo lejohet, atëherë çdo zhvillues tjetër do të kërkojë të ndërtojë kulla përgjatë lumit. Atyre nuk u intereson mendimi i qytetarëve, por vetëm fitimi”, u shpreh Clapton.
Sipas raportimeve të The Guardian, projekti fillestar parashikonte një kullë 34-katëshe me 142 apartamente, por më vonë u reduktua në 110 banesa, përfshirë edhe apartamente të përballueshme, hapësira tregtare dhe parkim nëntokësor.
Kompania zhvilluese argumentoi se Londra ka nevojë urgjente për banesa të reja dhe moderne, por autoritetet lokale nuk u bindën nga ky arsyetim.
Wandsworth Council e rrëzoi projektin duke e konsideruar lartësinë dhe përmasën e ndërtesës të papërshtatshme për zonën, ndërsa theksoi se ajo do të dëmtonte peizazhin urban dhe cilësinë e jetës së banorëve përreth.
Vendimi u mbështet edhe nga Greater London Authority. Edhe pse Rockwell Property apeloi vendimin, pas një seance dëgjimore tetë ditore, inspektorja e planifikimit Joanna Gilbert vendosi kundër projektit.
“Propozimi do të sillte dëme në karakterin e peizazhit urban në disa pamje të identifikuara nga drejtime dhe distanca të ndryshme”, deklaroi ajo në përfundim të shqyrtimit.
Lini një Përgjigje