Një ngjarje e rëndë tronditi para pak ditësh Hollivudin dhe opinionin publik. Regjisori i njohur Rob Reiner dhe bashkëshortja e tij, Michele Reiner, kanë humbur jetën në rrethana makabre, si pasojë e lëndimeve të shumta të shkaktuara nga mjet i mprehtë, ka konfirmuar ekzaminimi mjeko-ligjor.
Autoritetet kanë bërë të ditur se mënyra e vdekjes për çiftin është klasifikuar zyrtarisht si vrasje, duke përjashtuar çdo pistë tjetër. Detajet e ekspertizës u bënë publike vetëm pak orë pasi djali i tyre, Nick Reiner, u paraqit për herë të parë para gjykatës, pas vdekjes tragjike të prindërve.
Avokati mbrojtës i 32-vjeçarit, Alan Jackson, deklaroi për mediat jashtë gjykatës së Los Anxhelesit se seanca e radhës është caktuar për 7 janar 2026. Ai e cilësoi ngjarjen si një tragjedi të thellë për familjen Reiner, duke theksuar se çështja përfshin “probleme shumë të ndërlikuara dhe serioze”.
“Ne kërkojmë që procesi të ecë përpara pa nxitim për gjykim dhe pa përfundime të parakohshme, por me përmbajtje, dinjitet dhe respekt për drejtësinë dhe për familjen,” u shpreh Jackson.
Ndaj Nick Reinerit rëndojnë dy akuza për vrasje të shkallës së parë, të shoqëruara me një rrethanë rënduese të veçantë. Rob Reiner, 78 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Michele, 70 vjeçe, u gjetën të pajetë në vilën e tyre të dielën e kaluar, ndërsa po atë ditë autoritetet arrestuan djalin e tyre si të dyshuarin kryesor.
Sipas ligjit, vrasja e shkallës së parë parashikon burgim të përjetshëm, deri edhe dënim me vdekje. Autoritetet kanë bërë me dije se çdo vendim i mundshëm lidhur me dënimin kapital do të diskutohet paraprakisht me familjen.
Ngjarja mbetet nën hetim dhe ka hapur një kapitull të errët për një nga familjet më të njohura të botës së filmit.
Lini një Përgjigje