Miss Finlanda është përfshirë në një skandal me përmasa ndërkombëtare, pas një gjesti të konsideruar racist që çoi në përjashtimin e saj nga konkursi “Miss Universe” në Tajlandë dhe në humbjen e titullit kombëtar.
Sarah Dzafce, 22-vjeçare me origjinë kosovare dhe e lindur në Finlandë, kishte postuar një foto në rrjetet sociale ku, me duar, tërhiqte sytë për t’i bërë “si aziatikë”, duke e shoqëruar me mbishkrimin: “Duke ngrënë me një kinez”. Postimi shkaktoi valë indinjate, sidomos në Kinë, Japoni dhe Korenë e Jugut, ku mediat dhe rrjetet sociale e dënuan ashpër si një akt të qartë racizmi.
Në përpjekje për të ndalur krizën, organizatorët e konkursit “Miss Suomi” vepruan menjëherë. Drejtoresha e eventit, Sunneva Sjögren, njoftoi përjashtimin e Dzafce dhe kalimin e kurorës te finalistja e dytë, Tara Lethoten. Ajo kërkoi ndjesë publike dhe premtoi që në të ardhmen edukimi i kandidateve do të jetë më rigoroz.
Fillimisht, Dzafce u përpoq të justifikohej, duke thënë se në foto po masazhon sytë për shkak të dhimbjes së kokës dhe se postimi ishte bërë nga një mik pa lejen e saj. Por më pas, në një reagim në Instagram, ajo kërkoi falje për foton dhe tha se nuk kishte pasur qëllim të ofendonte askënd. “Respekti për të tjerët është ndër gjërat më të rëndësishme për mua,” shkroi ajo.
Ngjarja nuk u ndal me kaq. Pasi u kthye urgjentisht në Finlandë, çështja mori një dimension politik, kur kryeministri konservator Petteri Orpo e quajti veprimin e saj “të papërgjegjshëm dhe të pamatur”.
Kjo deklaratë nxiti zemërim te partia e ekstremit të djathtë “Finlandezët e Vërtetë” (PS), që bën pjesë në koalicionin qeverisës. Dy deputetë të kësaj partie, Juho Eerola dhe Kaisa Garedeë, postuan në rrjetet e tyre foto ku imitonin sytë “si të Sarah-së”, si shenjë mbështetjeje për ish-misin. Eerola madje ndryshoi edhe foton e profilit në Facebook me mbishkrimin “Je suis Sarah”, duke e krahasuar rastin me lirinë e shprehjes që u sulmua në rastin e “Charlie Hebdo”.
Zëvendëspresidenti i partisë PS, Joakim Vigelius, sulmoi ashpër atë që e quajti “fushatë urrejtjeje” nga “rojet e moralit” që, sipas tij, po cenojnë lirinë e shprehjes në shoqëri. Kryeministri Orpo u distancua menjëherë nga aleatët e tij politikë, duke i quajtur këto reagime “të papërgjegjshme dhe të dëmshme për imazhin e Finlandës”.
Kjo nuk është hera e parë që çështjet e racizmit shkaktojnë tensione në qeverinë finlandeze. Vetë kryeministri Orpo ka qenë më herët i detyruar të përjashtojë disa ministra të partisë PS për shkak të komenteve ekstremiste ose të kaluara me lidhje filonaziste. Madje, në muajt e fundit, disa anëtarë të kabinetit janë detyruar të marrin pjesë në trajnime “kundër racizmit”.
Lini një Përgjigje