Sean “Diddy” Combs ka paraqitur një apel të ri ligjor, përmes të cilit kërkon lirimin e menjëhershëm nga burgu, duke sfiduar drejtpërdrejt dënimin e tij federal. Lëvizja e fundit e artistit dhe producentit të njohur pritet të shkaktojë jehonë të madhe, jo vetëm në botën e drejtësisë, por edhe në industrinë e showbizz-it.
Sipas dokumenteve të dorëzuara në gjykatë, avokatët e Combs argumentojnë se gjyqtari ka tejkaluar kompetencat e tij gjatë shpalljes së dënimit, duke marrë parasysh akuza për të cilat juria e kishte shpallur artistin të pafajshëm. Mbrojtja pretendon se ky veprim ka ndikuar drejtpërdrejt në ashpërsinë e dënimit.
Në apel, ekipi ligjor e akuzon gjyqtarin se ka vepruar si një “jurist i trembëdhjetë”, duke injoruar verdiktin e jurisë dhe duke u mbështetur në pretendime të rënda që ishin rrëzuar gjatë procesit gjyqësor. Sipas tyre, përfshirja e këtyre akuzave ka çuar në një ndëshkim të padrejtë dhe disproporcional.
Avokatët e Diddy-t e cilësojnë dënimin si “tepër të ashpër” dhe “drakonian”, duke theksuar se ai nuk pasqyron realisht vendimin e jurisë. Ata kërkojnë ose rrëzimin e plotë të dënimit aktual, ose zhvillimin e një seance të re për rivlerësimin e masës së dënimit.
Gjithashtu, në kërkesën e tyre, mbrojtja insistojnë që Combs të lirohet menjëherë nga burgu deri në përfundimin e procesit të apelimit, duke argumentuar se vazhdimi i vuajtjes së dënimit përbën shkelje të parimeve bazë të drejtësisë.
Ndërkohë, autoritetet federale nuk kanë reaguar ende publikisht ndaj këtij apeli të ri. Megjithatë, çështja pritet të mbetet në qendër të vëmendjes mediatike, duke qenë se përfshin një nga figurat më të njohura dhe më të diskutuara të industrisë muzikore amerikane.
Vendimi i gjykatës për këtë apel mund të shënojë një kthesë të rëndësishme në një nga rastet ligjore më të bujshme të showbizz-it në vitet e fundit.
Lini një Përgjigje