
Një ndryshim i papritur ka ndodhur në fazën përfundimtare të procesit të numërimit të votave nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka arritur të rimarrë ulësen e 23-të në Kuvend, duke ia marrë atë Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila nga 15 mandate sa kishte sipas llogaritjeve të mëhershme, tani zbret në 14.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si fituese e zgjedhjeve, një ditë më parë kishte arritur në 57 mandate, pasi kishte marrë një ulëse nga PDK-ja, e cila pas rezultateve preliminare numëronte 23 deputetë. Me përditësimin e fundit të rezultateve, PDK-ja rikthen mandatin e 23-të dhe në Kuvend pritet të rikthehet deputeti Bekim Haxhiu.
Si pasojë e kësaj rishpërndarjeje, LDK-ja humb edhe një mandat, konkretisht ulësen që sipas llogaritjeve i takonte Fadil Hadërgjonajt. Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 6 mandate në Kuvend.
Për krahasim, në zgjedhjet e shkurtit të kaluar, Lëvizja Vetëvendosje kishte 48 deputetë, PDK-ja 24, LDK-ja 20, ndërsa AAK-ja në koalicion me Nismën kishte 8 mandate.
Lini një Përgjigje