TAGS-AT E JAVËS

Kosova19 Janar 2026, 14:20

Zgjedhjet në Kosovë, KQZ vendos për rinumërim të plotë të votave për kandidatët në 28 komuna

Shkruar nga Pamfleti
Zgjedhjet në Kosovë, KQZ vendos për rinumërim të
Zgjedhje në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka vendosur rinumërim të plotë të të gjitha votave në të 28 komuna.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniç deklaroi se procesi i rinumërimit të votave nxorri në pah pasaktësi të theksuara në numërimin e votave për kandidatët, ndërsa votat e subjekteve politike rezultojnë kryesisht të sakta.

Paraprakisht, në këto 28 komuna KQZ kishte vendosur që të rinumëroheshin vetëm 10 për qind e vendvotimeve, ndërkaq në 10 komuna të tjera vendosi për rinumërim të plotë.

Vendimi i sotëm vjen pasi gjatë rinumërimit të pjesshëm u vërejtën dallime të mëdha në votat për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit të vitit 2025. Për shkak të këtyre pasaktësive, partitë dhe organizatat e shoqërisë civile kërkuan rinumërim të plotë të votave.

“Sot, para mbledhjes së KQZ-së, ky raport është diskutuar në mbledhjen e Këshillit për Operacione Zgjedhore, nga ku kanë dalë dy rekomandime kryesore: Rinumërimi i të gjitha vendvotimeve edhe për 28 komunat tjera; Ndërprerjen e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit. Në fund, në emër të KQZ-së, ritheksojmë se gjetjet nga procesi i rinumërimit do t’i adresojmë në Prokurorinë e Shtetit dhe në të njëjtën kohë ofrojmë bashkëpunimin e plotë institucional në procesin hetimor”, u shpreh Radoniçi.

Kujtojmë që partia e cila triumfoi në zgjedhje ishte Lëvizja Vetëvendosje, duke marrë 57 mandate. Partia e Albin Kurtit arriti të marrë sërish besimin e publikut pas muajsh të tërë krize politike.

Lini një Përgjigje