Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar që edhe Bashkimi Evropian ta sanksionojë drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, Aleksandër Vulin, pas SHBA-së.
Përmes një postimi në twitter ai ka thënë se komuniteti ndërkombëtar duhet ta ndjekë vendimin e SHBA-së dhe të sanksionojë Vulintin, duke iu drejtuar BE-së.
“Rasti i Aleksandar Vulinit tregon se përzierja helmuese e autokracisë dhe korrupsionit rrezikon jo vetëm demokracinë dhe sundimin e ligjit, por edhe paqen dhe sigurinë në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka bashkangjitur një thirrje të Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian drejtuar BE-së që “ta ndjekë shembullin” e SHBA-së.
Më 11 korrik, Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit vendosi në listën e sanksioneve drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, Aleksandar Vulin.
Sipas Departamentit të Thesarit, Vulin është përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.
Lini një Përgjigje