
Bashkimi Evropian ka reaguar lidhur me dhunën në Kuvend ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.
Shefi i Zyrës së BE në Kosovë, Tomas Szunyog thotë se këto pamje ishin zhgënjyese teksa politikanë dhe ministra të kabinetit qeveritar përleshen me grushte dhe sende rrethanore në sallën e Kuvendit të Kosovës.
“Skena zhgënjyese dhune janë parë sot në Kuvend. Kuvendi nuk është vend për sulme fizike, por vend për të diskutuar propozimet dhe politikat në mënyrë demokratike. Diskutimet dhe shkëmbimi i ideve janë bazat themelore të një demokracie”, shkruhet në postimin e tij.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Ambasadori amerikan Jeff Hovenier dhe organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, po ashtu dënuan dhunën.
‘Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t'i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik’, shkroi Osmani.
Video e përleshjes fizike mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës u pasqyrua në agjencitë ndërkombëtare të mediave si BBC, CNN, NEW YORK TIME, The Guardian etj.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për kaosin dhe sherrin masiv. Për tu marrë në pyetje janë thirrur të gjithë protagonistët e videos me grushte mes tyre edhe zv. kryeministri, Besnik Bislimi dhe ministri Financave, Hekuran Murati. Një ditë pas incidentit, Kryeministri Albin Kurti u shfaq në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 58-të të Policisë së Kosovës ku u betuan 419 efektivë të rinj e krah tij ishte edhe presidentja Osmani.
Lini një Përgjigje