
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill tha sot në Beograd se përshkallëzimi i dhunës në Banjska të Kosovës është një “ngjarje tragjike”.
Hill deklaroi se të gjithë duhet ta dënojmë vrasjen e një polici në Kosovë.
“Të gjithë duhet ta dënojmë vrasjen e një pjesëtari të policisë së Kosovës dhe të mbajmë zi për humbjen e jetëve, por duhet të vazhdojmë me procesin politik. Proceset janë duke u zhvilluar për të inkurajuar dialogun”, tha Hill në debatin publik “Mjedisi gjeopolitik në ndryshim dhe sfidat ndaj rendit juridik ndërkombëtar”.
Hill tha gjithashtu se procesi diplomatik duhet të forcohet në ditët dhe javët në vijim.
“Kjo situatë po trajtohet shumë seriozisht dhe po bëhen diskutime të shumta se çfarë hapash të mëtejshëm duhet të ndërmerren”, tha ambasadori amerikan në Serbi.
Hill mori pjesë të takimin e përfaqësuesve të shteteve të QUINT-it dhe shefit të delegacionit të Bashkimit Evropian me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Por, diplomati amerikan nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve se për çfarë është biseduar me presidentin e Serbisë.
Vuçiq më herët shkroi në Instagram se gjatë takimit me diplomatët ndërkombëtarë kishte kërkuar që misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, “KFOR të kujdeset për të gjitha çështjet e sigurisë në veri të Kosovës”.
Lini një Përgjigje