Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar disa pamje të reja të grupit terrorist në Banjskë që sulmoi Policinë e Kosovës.
Sipas ministrit në video shihet edhe nënkryetari i Listës Serbe Milan Radojçiç, që është plagosur dhe po mjekohet në Novi Pazar.
Sveçla shprehet se Radojçiç ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
“Ky në pamjet më poshtë është Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe, po ashtu pjesë edhe e Listës së Zezë të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës.
Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve.Harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë: Aleksandër Vuçiq përmes Listës Serbe, dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radojçiq, kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë.
Pra, LS e sheh pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste. Ata dështuan.Ndërkohë, ditët e zisë të shpallura sot nga Serbia dhe Lista Serbe janë tashmë vulosja e autorësisë së këtij organizimi”, shkruan ai.
Një ditë pas sulmit, Albin Kurti ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri.
Kryeministri i Kosovës reagoi në rrjetet sociale, duke postuar bilancin e armëve të sekuestruara në manastirin e Banjskës dhe shtëpitë përreth.
Një autoblind, 24 makina ushtarake, 29 raketa anti-tank të mbushura e 7 të përdorura, bomba mortale të kalibrave të ndryshëm, granata dore, mina anti-tank, dinamit, eksploziv plastik, detonatorë elektrikë dhe mitralozë ishin mes arsenalit të armëve tashmë të sekuestruara.
Për të vijuar më tej me 3 revolverë me dhe pa silenciatorë, dronë, radio, kamera, veshje ushtarake, 6 harta satelitore e topografike, 32 smartphone, 32 karta telefonike, euro dhe dinarë serbë, ushqime dhe mijëra plumba të kalibrave të ndryshëm.
“Pajisjet ushtarake të sekuestruara nuk lënë vend për dyshime: agresorët nuk kanë vepruar të vetëm, por të mbështetur nga shteti. Serbia duhet të mbajë përgjegjësi të plotë për sponsorizimin e terrorizmit”, shkruan Kurti.
Nga shkëmbimi i zjarrit kanë mbetur të vrarë tre nga agresorët serbë dhe janë ndaluar 6 persona të tjerë.
Gjithçka, nisi në orën 02:34 të së dielës në Mitrovicë, ku Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë e Policisë Kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë ishin vendosur dy mjetet të rënda kamion, pa targa, duke bllokuar rrugën.
Rreshter Afrim Bunjaku mbeti i vrarë nga ky sulm, teksa u plagosën tre policët e tjerë, më i lënduar mbeti efektivi, Alban Rashiti, i cili pas ndërhyrjes kirugjikale, është jashtë rrezikut për jetën.
Për sulmet në veri Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, thotë se ka dyshime se ka vdekur dhe një sulmues tjetër serb në Banjskë të Zveçanit. Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, Vuçiç, shprehet se sipas tij, në Kosovë ditën e sotme “është bërë një sulm brutal ndaj serbëve” duke bërë Albin Kurtin fajtor.
Lini një Përgjigje