
Policia e Kosovës po vijon bastisjet nëpër shtëpi dhe objekte rreth fshatit Banjskë në veri të Kosovës, dy ditë pas një përleshjeje të armatosur me një grup personash, nga e cila mbeti i vdekur një polic dhe tre sulmues.
Hyrja në fshatin e Zveçanit vazhdon të jetë e bllokuar dhe nuk dihet kur do të hapet për qarkullim, tha më 26 shtator për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Policia ende nuk e ka mbaruar punën, nuk dihet se kur do ta bëjë, ndoshta sot gjatë ditës”, tha Elshani.
Dy serbë kanë rënë në prangat e policisë së Kosovës mbrëmjen e djeshme në fshatin Banjskë të Zveçanit. Ata u arrestuan pasi gjatë kontrolleve të policisë, në automjetin të cilin drejtonin iu gjet një sasi e madhe armësh të llojeve të ndryshme.
Qeveria e Serbisë ka kërkuar që nesër më (27 shtator) të shpallë Ditë Zie në nderim të sulmuesve serbë të cilët u vranë nga policia e Kosovës.
Lini një Përgjigje