Eksperti i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Janusz Bugajski ka reaguar ashpër ndaj të dërguarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak për dialogun Kosovë-Serbi i cili në një postim në X kishte njoftuar lidhur me takimin që ka pasur me të dërguarin e SHBA-së, Gabriel Escobar dhe tre të tjerët nga Gjermania, Franca e Italia.
Lajçak kishte shkruar se kishte pasur konsultime intensive dhe substanciale, gjersa theksoi se kanë biseduar edhe për hapat tjerë për zbatimin e marrëveshjes për normalizim e raporteve Kosovë-Serbi.
E lidhur me këtë ka reaguar njohësi i çështjeve të Ballkanit, Jonusz Bugajski i cili i kërkoi Lajçakut të ndalojnë këtë gjuhë të pakuptimtë dhe se askush nuk e beson më këtë fasadë.
“Ndaloni gjuhën e pakuptimtë dhe mendimet e dëshirueshme. Askush nuk e beson më këtë fasadë.
Beogradi dhe Moska po luajnë me juve si me budallenj. Kështu dëshironi të kujtoheni kur të ndizet lufta e ardhshme ballkanike?”, shkruan Bugajski.
Bugajski thotë gjithashtu se nëse Serbia nuk dëshiron ta njohë realitetin, atëherë Uashingtoni dhe Brukseli duhet të ndërpresin ndihmën financiare dhe të vendosin trupat e NATO-s në kufi për të konfiskuar të gjitha armët e separatistëve serbë.
Bugajski duke iu referuar Vuçiçit si përfaqësues i Moskës, ka thënë se ai po përpiqet të krijojë një skenar sikur të Donbasit në Kosovë.
“Nëse Serbia nuk mund ta njohë realitetin, atëherë BE dhe SHBA duhet të ndërpresin ndihmën financiare, të vendosin trupat e NATO-s në kufi dhe të konfiskojnë të gjitha armët nga separatistët serbë. Përfaqësuesi i Moskës Vuçiç po përpiqet të prodhojë një skenar të Donbasit në Kosovë“, ka shkruar ai.
Lini një Përgjigje