TAGS-AT E JAVËS

Kosova27 Prill 2023, 17:46

Votoi pro Kosovës për anëtarësim në KiE, Abazoviç thirret në seancë dëgjimore nga deputetët malazezë

Shkruar nga Pamfleti
Votoi pro Kosovës për anëtarësim në KiE,
Albin Kurti dhe Dritan Abazoviç

Komisioni për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Parlamentit të Malit të Zi e ka caktuar për 3 maj seancën dëgjimore të kryeministrit në mandatin teknik, Dritan Abazoviç, lidhur me mbështetjen e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës e mbështeti dërgimin e kërkesës për votim tek Asambleja e saj Parlamentare më 24 prill, për të cilën votoi edhe përfaqësuesi i Malit të Zi. Nga 46 shtete sa ka Këshilli i Evropës, 33 votuan pro.

Seanca dëgjimore e Abazoviçit, i cili gjithashtu mban detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme, u mbështet nga deputetët e Frontit Demokratik pro-rus (DF), ata të Partisë Popullore Socialiste pro-serbe (SNP) dhe Demokratëve, me sugjerimin e kryetarit të Komisionit, Miodrag Lekiç.

"Të na shpjegojë metodën, me të cilën është vendosur që të përkrahet Kosova si anëtare e Këshillit të Evropës. Kjo çështje është e diskutueshme. Vendimi është marrë tepër lehtë kur janë duke u zhvilluar negociata të rëndësishme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës", tha Lekiç në takimin e Komisionit.

Ai pretendon se hapja e kësaj çështjeje “nuk përfaqëson një politikë antishqiptare”.

Fronti Demokratik njoftoi më herët se vendimi për pranimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës paraqet një mundësi për të filluar mbledhjen e nënshkrimeve në kishat dhe manastiret e Kishës Ortodokse Serbe për tërheqjen e vendimit të Malit të Zi për njohjen e Kosovës.

Gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, Abazoviç theksoi se Mali i Zi do të mbështesë integrimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe rajonale.

Podgorica zyrtare e njohu Kosovën si shtet të pavarur në vitin 2008, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviçit, i cili u zëvendësua në gusht të vitit 2020 pas tre dekadash në pushtet./REL

dritan abazoviç kosove kie seance degjimore deputet mali i zi

Lini një Përgjigje