TAGS-AT E JAVËS

Kosova26 Prill 2023, 13:57

Parlamenti Europian u kërkon 5 vendeve anëtare të BE-së të njohin Kosovën

Shkruar nga Pamfleti

Parlamenti Europian u kërkon 5 vendeve anëtare të BE-së

Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian u kanë sërish bërë thirrje vendeve që nuk e kanë njohur akoma Kosovën ta njohin.

Kjo kërkesë u bë në raportin e eurodeputeteve për Kosovën.

Një thirrje që Parlamenti Evropian e ka përsëritur secilin vit në raportet për Kosovën, është përfshirë në tekst edhe kësaj radhe. Kjo është thirrja për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Fton vendet anëtare që nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet sovran, që ta bëjnë një gjë të tillë”.

Pikërisht për këtë pikë janë paraqitur shumë amendamente, sidomos nga deputetët nga Spanja dhe vendet tjera që nuk e njohin Kosovën, duke tentuar që referencat për shtetësi të Kosovës të hiqen nga raporti.

Sa i përket situatës në Kosovë, në tekst thuhet se Kosova pa pasur një periudhë të stabilitetit politik pas zgjedhjeve të vitit 2021 dhe u bën ftesë autoriteteve të Kosovës që të ndërmarrë më shumë veprime për t’u përballur me sfidat gjatë rrugëtimit evropian.

Kosova si shteti më i ri, shtetësinë e së cilës e kanë njohur 23 nga 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ka synime të qarta për integrim në BE.

Duke pasur parasysh aspiratat e Kosovës për Bashkimin Evropian mos-njohjet të cilat kanë më tepër rëndësi janë ato nga pesë vendet anëtare të këtij organizmi: Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

Ndërsa sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që zhvillohet në Bruksel me lehtësimin e BE-së, përsëritet thirrja që të dyja shtetet të angazhohen në frymën e kompromisit për të arritur “një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve, të bazuar në njohjen e ndërsjellë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Po ashtu, bëhet thirrje edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash në dialog, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Nga BE-ja kërkohet që ta bëjë më dinamik procesin e zgjerimit duke e quajtur këtë si politikën më të suksesshme të BE-së për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në Evropë.

Deputetët e Parlamentit Evropian përmes propozimeve për amendamente kanë kërkuar që të forcohet roli i BE-së në rajon.

kosova pe 5 vendet anetare te be

Lini një Përgjigje