
Lëvizja Vetëvendosje ka përjashtuar nga strukturat e partisë Besnik Mujecin. Ai së bashku me 4 të tjerë u arrestua pasi u kapën duke shitur ekstazi në lokalet e Tiranës. Pas kontrolleve të policisë u sekuestruan 11 mijë doza ekstazi gati për shitje.
“Pas marrjes së informacionit për arrestimin e asambleistit të Komunës së Prishtinës nga radhët e subjektit tonë, Komisionin Disiplinor i LVV menjëherë ka trajtuar këtë rast.
Si rrjedhojë Komisioni Disiplinor i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mbledhjen e tij mori vendim për përjashtimin e anëtarit Besnik Mujeci nga anëtarësia dhe të gjitha strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet e përkushtuar që dukuritë e tilla të dënueshme dhe kundërligjshme, janë absolutisht të patolerueshme dhe do të luftohen e ndëshkohen”, njoftoi LVV.
Kujtojmë se në pranga kanë rënë: Mithat Ramadani, Besnik Mujeci, Kalem Picari, Ambra Myftari dhe Daniel Avdia. Droga sintetike sapo kishte ardhur në kryeqytet dhe ishte destinuar për tregun e brendshëm.
Droga ishte mbështjellë me logon e “Louis Vuitton”. Dozat e lëndës narkotike mësohet se shiteshin kryesisht në zonën e ish bllokut dhe në lokalet e natës.
Lënda narkotike sigurohej në Kosovë dhe paketohej dhe ndahej në doza në Tiranë. Sipas përllogaritjeve, një dozë shitej 30-50 euro dhe e gjithë sasia kapte vlerën e rreth 500 mijë euro.
Kreu i Drejtorisë së Policisë Tiranë Tonin Vocaj, në një deklaratë për mediat tha se janë sekuestruar nga policia 11 mijë e 300 tableta ekstazi me peshë 5 kg dhe me vlerë tregu rreth 400 mijë euro që vinin nga Kosova nëpërmjet linjës së autobusëve të pasagjerëve Prishtinë-Tiranë.
Lini një Përgjigje