TAGS-AT E JAVËS

Kosova23 Gusht 2023, 16:33

Tentoi të mashtrojë shtetin për 720.000 euro me firma false, bordi i Byrosë së Sigurimeve kërkon shkarkimin e Sami Mazrekut

Shkruar nga Pamfleti
Tentoi të mashtrojë shtetin për 720.000 euro me firma false,
Sami Mazreku

 

Drejtorët e Kompanive i kërkuan dorëheqjen Sami Mazrekut, pasi në të kundërtën do e shkarkojnë. Shkak janë skandalet dhe hetimet të cilat dëmtojnë kompanitë e sigurimeve...

Prishtinë- Pas shumë e shumë skandaleve për të cilat me një seri shkrimesh ka raportuar Pamfleti, duke filluar nga zgjedhja e kundërligjshme pa konkurs, afera me mashtrimin e kompanive duke paguar para për sistemin anti-mashtrim, afera me policat e sigurimit me nënshkrime false me të cilat u mashtrua qeveria e Kosovës duke bllokuar mbi 720.000 euro rimbursime, si dhe konfirmimi i hetimeve nga prokuroria e krimeve të rënda e kanë shtyrë drejtorin e “Ks Prisig”, Besarb Blakaj dhe drejtorin e “Elsig” Rexhep Idrizaj me mbështetjen edhe të drejtorëve tjerë që t’i kërkojnë dorëheqjen drejtorit të jashtëligjshëm të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Sami Mazrekut.

Në fakt Mazreku, në muajin maj 2022, duke komunikuar në ËhatsApp me drejtoret e kompanive të sigurimeve, kishte njoftuar drejtorët se nuk do jetë më drejtor ekzekutiv dhe se punën do ta vazhdojë si zëvendësguvernator pranë BQK-së, por një ambicie e tillë nuk iu realizua për shkak të skandaleve të shumta të raportuara nga mediat.

Për më shumë, gjatë muajit korrik të këtij viti pas kërkesës për dorëheqje, në vend të tij ushtrues detyre i drejtorit qe caktuar i preferuari i Agim Elshanit, pronar i Elsig dhe kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të anëtareve të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), personi me emrin Valon Berisha. Po ashtu përgjegjës për shumë krime ekonomike prej dy vitesh në Byro si drejtor Financiar. Mirëpo pas konsultimit me rrethin e tij të ngushtë, Mazreku kishte ndërruar mendje edhe për atë për dy arsye: së pari për faktin se pa pozitën e drejtorit rrezikohej arrestimi i tij, si dhe për shkak se kishte dëgjuar këshillën se duhet pritur shkarkimin që të kërkonte kompensimin e pagave, sipas kontratës që ka me BKS-në deri në mars 2025.

Më në fund pronarët dhe drejtorët e kompanive, sipas burimeve që posedon “Pamfleti”, kanë filluar të sillen si sovran të parave të tyre dhe të mos kenë frikën e udhëheqësve në BQK, si  Sokol Havolli ( ish zëvendës guvernatori i BQK-së) e Fehmi Mehmeti ( ish guvernator i BQK-së të cilët i shantazhonin me marrje licence. Ata po kërkojnë dorëheqjen e Mazrekut ose në të kundërtën e kanë paralajmëruar se do të mblidhen dhe do ta shkarkojnë. ‘Pamfleti’ ka kërkuar një përgjigje nga Mazreku, por nuk ka marrë përgjigje nga ana e tij lidhur me këtë kërkesë.

Megjithatë sfidat e së ardhmes mbeten: skanimi i dëmeve financiare dhe reputacionit që iu shkaktuan industrisë së Sigurimeve nga vendimet e kundërligjshme, mirëpo mbetet shpresa se në të ardhmen pas konstatimit nga BQK nëpër auditim të fokusuar të kërkohet kompensimi i dëmit personalisht nga Sami Mazreku and Co. /Pamfleti

Lini një Përgjigje