TAGS-AT E JAVËS

Kosova30 Shtator 2023, 19:38

“Të pajisur me artileri të rëndë”, Prishtina jep alarmin: Serbia ka vënë në gatishmëri 48 baza ushtarake pranë kufirit

Shkruar nga Pamfleti
“Të pajisur me artileri të rëndë”, Prishtina jep
Ushtria serbe

Qeveria e Kosovës ka dhënë alarmin sa i takon ushtrisë serbe në kufi. Edhe pse u njoftua se një pjesë e forcave ushtarake nisën të tërhiqen pas ultimatumit amerikan, qeveria e Kosovës bën me dije se ka ende shumë formacione të tjera. Madje në reagim thuhet se thjesht ushtarët kanë ndërruar pozicione, teksa flitet dhe për armatim të rëndë në kufi.

Sipas një reagimi nga qeveria, 48 baza ushtarake pranë kufirit me Kovën janë vënë në gatishmëri.

Lëvizjet e ushtrisë serbe janë bërë nga tre drejtime të ndryshme; njësitet e Brigadës së dytë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga drejtimi i Rashkës në drejtim të kufirit verior të vendit tonë; njësitë e Brigadës së Tretë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga Regjioni i Nishit në drejtim të kufirit veri-lindor të vendit tonë dhe njësitë e Brigadës së katërt kanë lëvizur nga Regjioni i Vranjës në drejtim të kufirit lindor të Republikës së Kosovës. Njësitë ushtarake të ushtrisë së Serbisë gjatë ditës së djeshme kanë vendosur kapacitetet e tyre ushtarake dhe të xhandarmërisë nëpër 48 bazat e përparme operacionale, që janë të shtrira përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës, pak kilometra në thellësi të territorit të Serbisë. Në këtë vendosje përfshihen edhe vendosja e sistemeve kundër-ajrore dhe artilerisë së rëndë”, theksohet në deklaratë.

Qeveria ka kujtuar se në shumë raste ka shprehur shqetësimin për ekzistencën e 48 bazave të përparme të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe dhe se ato shërbejnë për të mbështetur agresionin e mundshëm ndaj Kosovës.

I bëjmë thirrje Presidentit Vuçiç dhe institucioneve të Serbisë që menjëherë të tërheqin të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën dhe të mbyllin dhe demilitarizojnë 28 bazat e përparme ushtarake dhe 20 bazat e xhandarmërisë që për vendin tonë paraqesin kërcënim të përhershëm”, thuhet në thirrjen e Qeverisë së Kosovës.

Pas sulmit në Banjskë, sipas Qeverisë, ky veprim i Serbisë është hapi i radhës kërcënues ndaj integritetit territorial të Kosovës.

Pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Milan Radoiçiç, marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën është hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe gjithashtu prezencën ushtarake ndërkombëtare në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagim. “Institucionet e Republikës së Kosovës në bashkërendim me partnerët ndërkombëtar janë më të vendosura se kurrë që me çdo kusht të mbrojnë tërësinë territoriale, të ruajnë sovranitetin, rendin kushtetues, rendin publik dhe jetën e qytetarëve të vendit tonë”, vijohet më tej.

SHBA dje ja bëri të qartë Serbisë se nuk e kupton pse duhet ushtria në kufi dhe për këtë arsye lëshoi ultimatum të tërhiqen menjëherë.  

Lini një Përgjigje