
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka kritikuar fjalimin e kryeministrit Rama, në seancën e përbashkët të Kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë të mbajtur ditën e sotme. Gërvalla e quajti këtë fjalim si një “fushatë kundër qeverisë Kurti” ndërsa tha se Rama ka keqpërdorur foltoren e Kuvendit të Kosovës.
Sipas Gërvallës, fjalimi i Ramës nuk ishte në harmoni me atmosferën e pritshme. Ajo shtoi se Rama keqpërdori mikpritjen e Kosovës dhe të delegacionit të tij.
“Nëse ai ka ardhur për të bërë fushatë, duhet ta bëjë këtë në mënyrë transparente dhe jo përmes foltores së Kuvendit”, u shpreh Gërvalla.
Ajo theksoi se fjalimi i Ramës mund të interpretohej vetëm si një fushatë kundër Qeverisë Kurti. Lidhur me kërkesën e Ramës për implementimin e marrëveshjes së Ohrit, Gërvalla e quajti këtë një tentativë për të shtuar presion ndaj Kosovës.
Gërvalla deklaroi se kjo kërkesë nuk kishte aspak karakter vëllazëror, pasi, sipas saj, brenda një familjeje konsultimet bëhen në mënyrë private, jo përmes mikrofonave.
Seanca e përbashkët, që u mbajt në Prishtinë, zgjati tre orë dhe gjatë saj, palët u angazhuan për të thelluar bashkëpunimin dhe për të mbështetur njëra-tjetrën në arenën ndërkombëtare. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, lexoi deklaratën e përbashkët që theksonte rëndësinë e koordinimit të “agjendës kombëtare” për realizimin e qëllimeve strategjike të përbashkëta të dy vendeve.
Lini një Përgjigje