
Policia e Kosovës ka konfirmuar të dielën shpërthimin në pjesën veriore të vendit, në afërsi të Liqenit të Ujmanit, që sipas tyre erdhi nga një granatë dore.
Sipas informacioneve të autoriteteve të sigurisë, granata është hedhur në vendin e quajtur “Te tuneli i pestë”, në rrugën afër Ujmanit, nga një apo më shumë persona të panjohur.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë, duke thënë se Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu leverdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të Kosovës.
“Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervozi bëhet agresivi. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhura me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës. Kjo pjesë, ashtu si të gjitha të tjerat e vendit tonë, me potencialin dhe bukuritë e saj do të përdoret nga të gjithë qytetarët pa dallim”, ka thënë Kurti, përmes një postimi në Facebook.
Lini një Përgjigje