Furnizimi me ujë tashmë është ndërprerë për qytetarët e Mitrovicës, ndërsa rrezikohet që të ketë edhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të dalë në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp pas shpërthimit të fuqishëm në Zubin Potok, në fshatin Varagë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme.
Shpërthimi ka ndodhur në kanalin e ujësjellësit të kompanisë “Ibër Lepenci”. Për pasojë, uji po derdhet në mënyrë të pakontrolluar.
“Grupet kriminale në veri janë shporrur, por elementë mund të ketë ende. Suksesi ynë po i çmend serbët dhe janë gjithmonë e më agresivë. Po të dështonte shteti i Kosovës, nuk do të na i bënin këto. Pikërisht pse jemi të suksesshëm po e hap këtë kapitull Serbia, ku po përpiqet të organizojë sërish bandat. Në veri nuk kemi ushtrinë tonë, por vetëm policinë tonë. Të gjitha ato që kemi paralajmëruar, kanë dalë të sakta”, deklaroi Kurti.
Furnizimi me ujë tashmë është ndërprerë për qytetarët e Mitrovicës, ndërsa rrezikohet që të ketë edhe ndërprerje të energjisë elektrike pasi i njëjti ujë i shërben edhe Korporatës Energjetike të Kosovës për ftohje në termoncentralet e saj të prodhimit të rrymës.
Ky sulm vjen pas atyre me granata në Zveçan, fillimisht në stacionin policor e më pas edhe te komuna.
Për sulmin reagoi edhe Presidentja Vjosa Osmani, duke thënë se bandat kriminale serbe kanë humbur çdo betejë me institucionet e Kosovës dhe do të humbin sërish në përpjekjet e tyre për të sulmuar infrastrukturën jetike të vendit.
“Bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës. Do të humbin sërish, në përpjekjet e tyre qyqare për të sulmuar infrastrukturën jetike të Republikës sonë nëpërmjet akteve terroriste”, thotë Osmani.
Osmani shtoi se mbrojtja e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe lufta e pakompromis ndaj këtyre elementeve kriminale janë jetike.
“I ftoj qytetarët të vazhdojnë të tregojnë qetësi e maturi derisa institucionet tona po merren me hetimin e rastit dhe sanimin e dëmit me profesionalizmin më të lartë”, shtoi Osmani.
Shpërthimi i fuqishëm ka ndodhur sonte në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ku si pasojë është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit.
Edhe Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas shpërthimit që ka dëmtuar kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
Ai e ka cilësuar këtë si një akt terrorist, duke e quajtur një sulm ndaj një infrastrukture kritike.
“Pas lajmërimeve Policia ka ardhur në vendin e ngjarjes dhe është parë se si rezultat i një akti terrorist, një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit, e cilësuar si infrastrukturë kritike, është dëmtuar”, ka thënë Sveçla nga vendi i ngjarjes, ku ishte së bashku me drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxhën.
"Nuk po flasim për armë të vogla. Po flasim për eksplozivë, që nuk është e lehtë të gjenden në tregun e zi. Kjo patjetër që vjen nga rezervat e eksplozivit të Serbisë”, ka thënë më tej Sveçla.
Ndërsa Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ShBA-ja e dënon fuqishëm shpërthimin që ndodhi në kanalin e ujit në Ibër Lepenc.
Në një reagim në platformën X, ai ka thënë se janë duke e monitoruar nga afër situatën dhe se e mbështesin një hetim të plotë dhe i kanë ofruar mbështetje Qeverisë së Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dënojnë fuqishëm sulmin e 29 nëntorit në infrastrukturën kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal të ujit në Zubin Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës”, ka pohuar Hovenier.
“Ne jemi duke e monitoruar situatën nga afër, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës”, shtoi ambasadori amerikan./ Pamfleti
Lini një Përgjigje