TAGS-AT E JAVËS

Kosova29 Nëntor 2024, 20:35

“Masakra e Reçakut, sajesë e Perëndimit”, Rusia justifikon luftën me dezinformata për Kosovën: NATO do të na sulmojë si Serbinë në ’99-ën!

Shkruar nga Pamfleti

“Masakra e Reçakut, sajesë e Perëndimit”, Rusia

Sipas pretendimeve të ministrit rus, masakra e Reçakut në Kosovë edhe ajo e Buchas në Ukrainë, nuk janë gjë tjetër veçse krijimi i Perëndimit, me qëllim justifikimin e përfshirjes së tyre në luftë me Rusinë, si në rastin e Serbisë në vitin 1999.

Sa herë flitet për arritjen e paqes në Ukrainë, Rusia flet për raste të ngjashme me agresionin e saj ndaj fqinjit që mund të kenë ndodhur në të shkuarën, për të paralelizuar situatën dhe justifikuar veprimet me anë të dezinformimit masiv.

Si shpesh herë që nga nisja e agresionit në Ukrainë, Rusia edhe ditën e sotme ka marrë si shembull Kosovën dhe luftën e saj për pavarësisë për të justifikuar situatën e saj me Ukrainën.

Gjatë një diskutimi të mbajtur në Moskë për krizën në Ukrainë me Ambasadorët e huaj në Rusi, ministrit i Jashtëm rus, Sergey Lavrov sqaroi pozicionin e Federatës ruse në lidhje me kushtet e paqes si dhe foli për luftën e informacionit që po zhvillohet mes tyre dhe Perëndimit.

Gjatë fjalës së tij, Lavrov ngriti pretendimet se Perëndimi po përdor luftën e informacionit dhe ndikimin e saj në disa nga mediat më të mëdha në botë për të shtrembëruar, sipas tij, të vërteten e luftës në Ukrainë. Ai theksoi se kjo po arrihet edhe nga fakti se Ukraina po kontrollohet drejtë për drejtë nga anglo-saksonët dhe aleatët e NATO-së, për të bërë një luftë hibride në dëm të Rusisë.

Perëndimi kolektiv ka kohë që përdor teknikat e luftës së informacionit për të shtrembëruar informacionin në mënyrë që të ecë përpara me komplotet e tij të pista gjeopolitike... Regjimi i Kievit vepron nën kontrollin e drejtpërdrejtë të anglo-saksonëve dhe satelitëve të tyre të NATO-s dhe vepron në përputhje me praktikat koloniale britanike. Ai përdor shumë teknika moderne të ideologjisë ultra-liberale perëndimore”, tha Lavrorv, raporton në njoftimin e saj Ministria e Jashtme Ruse.

Më tej ministri i Jashtëm rus, shtoi se kjo teknikë manipulimi po përdoret për të minuar vendet dhe qeveritë, që nuk shkojnë paralele me mendimet e Perëndimit. Sipas Lavrov, kjo metodë është përdorur më parë nga Perëndimi në Kosovë për të justifikuar bombardimin e Serbisë.

Duke vijuar me retorikën e tij dezinformuese, kryediplomati rus solli në kujtesë, masakrën e Reçakut në Kosovë në 1999, ku u vranë mizorisht nga forcat serbe, 45 civilë të pa armatosur. Sipas pretendimeve të rreme të Lavrov, e gjithë ngjarja ishte një inskenim për të justifikuar më pas bombardimin e Serbisë nga NATO.

Për sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare, politika që synon të demonizojë vendet dhe qeveritë e padëshiruara ekziston prej kohësh. Thjesht kujtoni përpjekjet e perëndimorëve për të nxitur opinionin publik ndërkombëtar për bombardimin e Jugosllavisë sovrane në vitin 1999. Një sulm u organizua në fshatin Raçak të Kosovës, ku përfaqësuesit e OSBE-së "papritmas" zbuluan disa dhjetëra trupa të vdekur. Një përfaqësues i misionit të OSBE-së që mbante një pasaportë amerikane pohoi se ushtria jugosllave kishte marrë jetë civile. Kjo shkaktoi një agresion kundër Jugosllavisë. Në atë kohë, ata bombarduan qendrën e transmetimit televiziv, urat dhe vendet e tjera civile. Më vonë, doli se trupat e pajetë në fjalë nuk ishin civilë, por persona të armatosur, trupat e të cilëve më vonë ishin veshur për t'u dukur si civilë”, u shpreh Lavrov, duke vijuar me retorikën e tij dezinformuese në sy të ambasadorëve të huaj.

E gjithë kjo retorikë dezinformuese u ngrit nga Lavrov për të bërë më pas paralelizëm me situatën në Ukrainë dhe akuzat që janë ngritur rreth regjimit rus për masakrën e bërë në Bucha, ku mijëra njerëz u torturuan deri në vdekje nga forcat ruse.

Sipas pretendimeve të ministrit rus, masakra e Reçakut në Kosovë edhe ajo e Buchas në Ukrainë, nuk janë gjë tjetër veçse sajesë e Perëndimit, me qëllim justifikimin e përfshirjes së tyre në luftë me Rusinë, si në rastin e Serbisë në vitin 1999.

“Një provokim u organizua në Reçak, një fshat në Kosovë, në vitin 1999. Në mars të vitit 2022, një provokim i ngjashëm u krye në Bucha afër Kievit, ku gazetarëve të BBC-së iu treguan dhjetëra trupa të pajetë që ishin shtrirë me saktësi në rrugën qendrore të qytet. Pas kësaj, Rusia u akuzua për vrasjen e civilëve dhe për krime lufte. Ne vazhdojmë të kërkojmë edhe sot e kësaj dite që të na jepet një listë me emrat e personave, trupat e të cilëve u treguan gazetarëve të BBC-së. I kam bërë thirrje publikisht Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres tri herë, por ai po shikon larg”, tha Lavrov.

Më tej, Lavrorv foli për mundësin e arritjes së paqes në Ukrainë në mënyrë, diplomatike, por ngriti disa shqetësime të cilat sipas tij, minojnë procesin e dialogut për paqe me Kievin. Një nga arsyet më thelbësore, sipas Lavrov, është shtrirja e NATO-së në Ukrainë, gjë që sipas tij është një vijë e kuqe që nuk do të lejohet nga Rusia.

“Presidenti Vladimir Putin ka theksuar shumë herë angazhimin e palëkundur të Rusisë ndaj mjeteve paqësore, politike dhe diplomatike. Megjithatë, arritja e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe të qëndrueshme në konfliktin e Ukrainës do të ishte e pamundur nëse nuk i heqim shkaqet rrënjësore të tij. Këto përfshijnë kryesisht krijimin e kërcënimeve të qëndrueshme të sigurisë për Rusinë përgjatë kufijve të saj perëndimorë që rezultojnë nga zgjerimi i NATO-s, si dhe përpjekjet e NATO-s për të absorbuar Ukrainën”, tha ndër të tjera Lavrov.

Ky rast flagrant dezinformimi nga ana e Lavrov, tregon qartë luftën e fortë të informacionit që Rusia ka ndërmarrë ndaj aleatëve të Perëndimit me qëllim destabilizimin e rajoneve të brishta, si ai i Ballkanit Perëndimor. Prej gati 2 vitesh SHBA dhe aleatët e tjerë të BE-së kanë ngritur alarmin për fushatat e dezinformimit rus dhe kinez në rajon./Pamfleti

Lini një Përgjigje