Ministria e Shëndetësisë e Serbisë ka shpallur këtë të mërkurë një konkurs për 300 vende të reja pune në institucionet shëndetësore serbe që funksionojnë si struktura paralele në Kosovë. Njoftimi zyrtar specifikon se punësimet do të realizohen në institucionet shëndetësore serbe në Kosovë.
Sipas ministrisë, paralelisht është në proces edhe një konkurs tjetër për 50 vende pune, i hapur më 22 dhjetor, duke e çuar në 350 numrin total të vendeve të reja të punës në sistemin shëndetësor serb që operon në Kosovë. Autoritetet serbe e paraqesin këtë hap si pjesë të një strategjie për forcimin e pranisë institucionale serbe në territorin e Kosovës.
Në njoftimin e publikuar nga Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë thuhet se këto punësime “do të thonë jetë për qëndrimin dhe mbijetesën e popullit serb në ato pjesë” dhe se ato përmirësojnë kujdesin shëndetësor për komunitetet serbe, duke reflektuar “kujdesin e shtetit serb dhe të presidentit Aleksandar Vuçiç për popullin e vet”.
Autoritetet serbe kanë bërë të ditur gjithashtu se në gjysmën e dytë të janarit pritet të punësohen edhe 700 persona të tjerë, personel mjekësor dhe jomjekësor, pas një konkursi të zhvilluar më herët. Sipas të njëjtit burim, gjatë tri viteve të fundit janë punësuar mbi 1.500 persona në institucionet shëndetësore serbe në Kosovë.
Kjo nuk është hera e parë që Beogradi shpall punësime masive në institucionet paralele në Kosovë. Edhe në prag të zgjedhjeve lokale të tetorit, presidenti Aleksandar Vuçiç kishte paralajmëruar punësimin e rreth 400 serbëve në strukturat paralele të shëndetësisë, një veprim që vazhdon të ngrejë shqetësime për ndërhyrjen institucionale të Serbisë dhe sfidimin e sovranitetit të Kosovës.
Lini një Përgjigje