TAGS-AT E JAVËS

Kosova 6 Maj 2025, 14:13

Sëmundja “diplomatike” e Aleksandër Vuçiç

Shkruar nga Fadil Lepaja

 

Sëmundja “diplomatike” e Aleksandër Vuçiç
Aleksandar Vuçiç /

Mjekët anash, kryepeshkopi te koka. Në rrugë studentët ende vazhdojnë të kërkojnë largimin e tij. Uashingtoni hesht! Po rusët...? Zoti mundet!

Shpesh njerëzit bien në grackën që e kanë ngritur vet. Duket se pikërisht kjo i ndodhi Presidentit serb. U ngatërrua në hapa. E futi veten në sherr ndërkombëtar. Si do të thoshte intelektuali serb Dushko Radoviç; “E vrau fjala e fortë”.

U ofrua, në mënyrë krejt joadekuate si ndërmjetës mes SHBA dhe Rusisë. Do të ketë menduar të shkojë fillimisht në Moskë, pastaj në Uashington. U ofrua që  të bëhej një ”telefon i kuq”, i gjallë. Kjo ka kuptim pasi të gjitha komunikimet mes Trump dhe Putin që u bënë me ndërmjetës u gjurmuan dhe u publikuan.

As Moska e as Uashingtoni, nuk kanë më besim në administratën e tyre, aq më pak në aplikacionet në rrjet, as në linjat satelitore madje. Prandaj po afrohej vetë. Ai është imun ndaj luftës hibride. Është specialist i fushës.

Derisa arriti në Uashington gjithçka shkoi si e kishte paramenduar. Paralajmëroi vizitë në Moskë, Rusia e mirëpriti, BE reagoi ashpër, e kërcënoi me “ekskomunikim”, largim nga rruga evropiane. Por ky do të ishte çelësi që do t’i hapte derën e Shtëpisë së Bardhë, do të ketë shpresuar ai, duke pasur parasysh marrëdhëniet SHBA- BE- NATO.

Por nuk erdhi puna deri te çelësi. U sëmur rëndë. Askush nuk e di saktë se çfarë shqetësimi ia shfaqi arrestin kardiak presidentit serb. Mediat vetëm spekulojnë, ose përhapin një dezinformim të paramenduar. Dihet vetëm se u sëmur papritmas gjatë vizitës në SHBA, nuk pranoi të mjekohej atje, u kthye në Serbi ndërkohë që ende nuk kishte arritur të hapte asnjë derë të madhe. 

Nuk është etike të spekulojmë për arsyet e sëmundjes së tij, e as të dyshohet në seriozitetin e sëmundjes. Sëmundjet e zemrës janë gjithnjë serioze, qoftë edhe kur bëhet fjalë për politikanë, për të cilët, publikisht dyshohet se nuk kanë zemër fare. Në kuptimin metaforik të fjalës, natyrisht. Se Vuçiç nuk ka zemër, këtë tashmë e thonë me të madhe në Serbi, sidomos studentët dhe masa milionëshe që i përkrah ata. I bllokuar në Serbi, Vuçiç duket se shpresoi të dilte me një sherr ndërkombëtar, ose me një fitore diplomatike.

Sido që të ketë qenë, mbetet fakt, drama personale dhe familjare e presidentit serb. Me familjen nënkuptojmë edhe “familjen”e tij politike ...dhe ata pak përkrahës që kanë hapur çadrat para presidencës sikur po e mbrojnë atë nga studentë. Ai ka në anën e tij ata pak “studentë që duan të mësojnë” dhe të cilët janë ngritur kundër shumicës dërrmuese që ‘nuk duan të mësojnë’. Ata duan ta ndryshojnë Serbinë, ta bëjnë demokratike, evropiane. Por Vuçiç, ka probleme me Evropën.

Ec e merre vesh...

E kishte hedhur karremin me paralajmërimin e vizitës në Moskë por dukej se nuk ishte BE që shpresonte t’i binte në grep. Publicitetin e mori të plotë. Fabula thotë; “bretkosa i pa kuajtë të mbathen dhe ngriti këmbën e tha: “ më vini patkua edhe mua” . Deshi të hyj në lojën e të mëdhenjëve dhe mbeti në udhëkryq në kohën e kaosit më të madh...diplomatik. As shkonte në Moskë, as nuk e anulonte dot.

Tashmë e ka të qartë edhe ai vet. Ishte një deklaratë kot. Ishte rrugë pa krye. As nuk shkonte dot pa përkrahjen e SHBA, as nuk i thoshte dot “nuk vij” Putinit.

Ka situata kur ngre duart drejt qiellit e thua: Zoti mundet! Por zoti vështirë se përfshihet drejtpërdrejtë në lojërat e Vuçiç mes fuqive të mëdha. Por, nëse zoti jo, Kisha orthodokse e bën.

Në një fotomontazh që po qarkullon në rrjet, e nxjerrin presidentin serb të zhveshur në shtratin e spitalit, me mjekët, kryepeshkopin serb dhe familjarë te koka.  Në fakt mjekët dhe familja i rrijnë anash. Por e vërteta është se ai ka dalë nga spitali, është në shtëpi, nën kujdesin mjekësor. Për të udhëtuar nuk udhëton dot dhe është e qartë se para 9 majit kur në Moskë mbahet parakalimi i madh ushtarak për nder të fitores mbi fashizmin, gjendja shëndetësore e presidentit serb vështirë të qartësohet...

Në fund, mësimi nga ky rrëfim është se mënyra më e mirë për të mbijetuar kur nuk bën dot prapa, është të hidhesh drejtë humnerës. Humnera kalohet vetëm me një hap dhe Presidenti serb, i cili nuk e tërhiqte dot premtimin për të shkuar në Moskë, u hodh drejt humnerës.

Ra apo kaloi presidenti serb?

Ende nuk dihet. Mjekët anash, kryepeshkopi te koka. Në rrugë studentët ende vazhdojnë të kërkojnë largimin e tij. Uashingtoni hesht!. Po rusët...? Zoti mundet./Pamfleti

sëmundja diplomatike aleksandar vuçiç

Lini një Përgjigje