
I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të zhvillojë sot një konferencë online me gazetarë.
Konferenca pritet të mbahet duke filluar nga ora 15:00. Mësohet se Escobar me gazetarët do të bisedojë rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe Serbi. Rrëmbimi i tre policëve të Kosovës nga forcat serbe agravoi edhe më tej situatën mes dy shteteve.
Autoritetet e Kosovës thanë se efektivët e saj janë rrëmbyer brenda territorit, kurse Beogradi pretendon se arrestimi i tyre është kryer në brendësi të tokës së saj.
Ditën e djeshme, KFOR-i të enjten tha se nuk kanë qenë prezent në zonën tek e cila u rrëmbyen tre efektivët.
Nga ana tjetër, Departamenti i Shtetit Amerikan bëri thirrje për lirimin e “pengjeve” pa asnjë kusht, por deri tani nuk ka ende asnjë vendim për lirimin e tyre. Ky qëndrim u shpreh nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller në konferencën e përditshme për shtyp.
“Ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin masa për të shtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi”, ka thënë ai.
Miller ka deklaruar gjithashtu se “të dyja palët duhet të ndjekin planin prej tre pikash që ka paraqitur BE-ja”.
Lini një Përgjigje