
Departamenti Amerikan i Shtetit i ka dhënë ultimatum Serbisë që të lirojë menjëherë 3 policët kosovarë të rrëmbyer në kufi. Ndryshe nga BE e cila ka mbajtur një qëndrim shumë neutral, SHBA ka qenë e drejtpërdrejtë.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të de-përshkallëzuar tensionet dhe hapi i parë duhet të jetë lirimi i efektivëve.
"Pritshmëritë tona për të dyja palët, janë që Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet. Kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës të ndaluar së fundmi. Ne besojmë se të dyja palët duhet të ndjekin planin me tre pika që është përshkruar nga BE pa vonesë. Si pjesë e kësaj, siç kemi folur më parë, kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga vende alternative dhe të tërheqin forcat policore. Ne vazhdojmë të dënojmë dhunën e papranueshme kundër trupave të udhëhequr nga NATO, ndaj forcave të rendit dhe gazetarëve. Dua të shtoj se ne vijojmë të jemi të angazhuar drejtpërdrejt si me të dyja palët ashtu edhe me partnerët tanë në rajon. Sekretari Antony Blinken ka pasur biseda me partnerët në rajon për këtë çështje”, ka deklaruar zëdhënësi i DASH, Matthew Miller.
Një ditë më parë 3 policë kufitarë të Kosovës u rrëmbyen nga xhandarmëria serbe. Kosova pretendon se ata ishin në territorin e saj, por serbët kaluan kufirin dhe i ndaluan. Beogradi pretendon të kundërtën. Por nga imazhet e publikuara, 3 policët u panë të prangosur dhe po ashtu ishin shtrirë në tokë dhe u ishin lidhur sytë. Por edhe pse mënyra e ndalimit ishte skandaloze, KFOR dhe BE nuk kanë mbajtur asnjë qëndrim dënues të këtij akti. DASH bëhet organi i parë ndërkombëtar që i kërkon Serbisë lirimin e 3 efektivëve.
Lini një Përgjigje