TAGS-AT E JAVËS

Kosova16 Qershor 2023, 08:35

Tensionohet situata në veri, shpërthime pranë stacioneve policore në Zveçan dhe Mitrovicë; dëmtohen makinat e efektivëve

Shkruar nga Pamfleti

Tensionohet situata në veri, shpërthime pranë stacioneve policore

Tre shpërthime kanë ndodhur rreth mesnatës në veri të Kosovës, konkretisht në Mitrovicën e Veriut dhe Zveçan.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, teksa shtoi se shpërthimet janë dëgjuar  në afërsi të stacioneve policore.

Elshani u shpreh se me shumë gjasa bëhet fjalë për shok-bomba, teksa bëri të ditur se nuk ka të lënduar. Ai tregoi gjithashtu se është dëmtuar një makinë policie. Ai bën me dije se është hapur një hetim, por ende nuk ka të dyshuar.

Këto zhvillime po ndodhin në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.

Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Milun Milenkoviç. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.

Një ditë pas kësaj, tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe në veri të vendit, një veprim që Qeveria e Kosovës e ka cilësuar si rrëmbim.

tensionohet situata në veri shpërthime pranë stacioneve policore në zveçan

Lini një Përgjigje