
Policia e Kosovës e ka konfirmuar se një veturë policore është sulmuar me gurë gjatë patrullimit afër objektit komunal të Zveçanit. Si pasojë e sulmit, veturës i është thyer xhami, mirëpo nuk raportohet për të lënduar.
Në një përgjigje për REL-in, Policia e Kosovës ka konfirmuar se hetimet për këtë rast kanë filluar.
"Mund të konfirmojmë se një veturë policore e cila ka qenë me detyrë zyrtare duke patrulluar në drejtim të komunës së Zveqanit, është penguar dhe sulmuar me mjete te forta nga protestuesit", thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Vetura policore ka ngecur mes protestuesve, që po kundërshtojnë kryetarin e ri shqiptar, për rreth 15 minuta, derisa i është hapur rruga për qarkullim nga pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Sulme ndaj automjeteve të Policisë së Kosovës u raportuan edhe javën e kaluar, kur një polic mbeti i lënduar. Sulme të ngjashme janë kryer edhe ndaj ekipeve të mediave në komunat në veri të Kosovës.
Lini një Përgjigje