Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka shprehur pritje pozitive nga mandati i dytë i Donald Trumpit, duke theksuar se kjo mund të krijojë një situatë më të favorshme për Beogradin dhe t’i mundësojë Serbisë të dëgjohet më mirë.
Vuçiç nuk pret ndryshime të mëdha në politikën amerikane ndaj Serbisë. Ne anën tjetër, sipas ekspertëve, pika kryesore është Marrëveshja e Uashingtonit, për të cilën administrata Trump pritet të kërkojë rezultate të prekshme.
“Trump do të vazhdojë politikën e mëparshme, duke forcuar praninë amerikane në Ballkan pa shpenzime të mëdha dhe duke u fokusuar në ekonomi, veçanërisht në energjetikë. Nuk do të lejojë veprimet e problem-bërësit, siç ndodhi me Banjskë, dhe do të insistojë në respektimin e Marrëveshjes së Uashingtonit. Mund të ketë ndryshime në negociata, ku BE-ja do të ishte vetëm fasilitator, ndërsa SHBA-ja do të zgjidhte çështjet kyçe dhe do të mbështeste investimet.”, ka thënë Dushan Janjiç, drejtor i Forumit për Marrëdhënie Etnike.
Nga ana tjetër, ka mendime se rikthimi i Trumpit mund të ndikojë në dinamikën e dialogut, derisa për shkak të sfidave ne rajon, ka pritje për ruajtjen e pranisë ushtarake dhe diplomatike amerikane për të parandaluar destabilizimin.
“Fakti që Trump është rizgjedhur si president mund të sjellë ndryshime turbulente në nivel global, por ato ndoshta nuk do të reflektohen drejtpërdrejt në situatën tonë. Ekzistojnë disa marrëveshje, disa prej të cilave janë zbatuar pjesërisht, ndërsa të tjerat jo. Ndër to është edhe Marrëveshja e Uashingtonit, e cila është negociuar dhe nënshkruar me Trumpin, dhe mund të presim që ai të shtrojë pyetje mbi atë çfarë po ndodh aktualisht me këtë marrëveshje, sa është përparuar, dhe çfarë do të ndërmerret më tej”, ka thënë Nemanja Millosheviç nga organizata politike “Glas”.
Ndërkohë, Trump ka lidhje me Beogradin përmes Jared Kushnerit dhe Richard Grenellit, të cilët kanë inkurajuar investime private në Serbi. Sidoqoftë, ekspertët theksojnë se projektet e mundshme të biznesit nuk garantojnë përkrahje politike, sidomos sa i përket çështjes së Kosovës.
Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump.
Dy versione të dokumenteve për palën e Kosovës dhe atë të Serbisë, i kanë nënshkruar kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti aktual i Serbisë Aleksandar Vuçiç.

Zyrtarët amerikanë e vlerësuan marrëveshjen e Uashingtonit si një fillim të ri për Ballkanin Perëndimor.
Marrëveshja pason diskutimet ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë që u zhvilluan më 3 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e këshilltarit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert O'Brien, dhe të dërguarit të Posaçëm të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Me këtë marreveshje, Kosova u pajtua që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, është pajtuar që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Në bazë të marrëveshjes, Kosova do t’i bashkohet “zonës së mini-Schengenit”, që është krijuar më 2019 dhe ku tashmë marrin pjesë, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Në marrëveshje gjithashtu përmendet edhe Liqeni i Ujmanit, ku thuhet se palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë për një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.
Po ashtu, aty parashihet që Kosova dhe Serbia të përshpejtojnë përpjekjet për të lokalizuar dhe identifikuar personat e humbur.
Thuhet edhe se Kosova dhe Izraeli e pranojnë njëra tjetrën, dhe se Serbia do ta zhvendos ambasadën nga Tel Aviv në Jerusalem.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha pas nënshkrimit se marrëveshje bilaterale është arritur mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shtëpi të Bardhë dhe se pala e tretë, Kosova, “nuk është njohur”.
“Ne kemi pasur një bisedë bilaterale të shkëlqyeshme dhe kjo është një gjë e madhe për Serbinë dhe për mua personalisht. Ne jemi pajtuar për gjëra të mira për vendin tonë. Ne nuk kemi asgjë për t’u frikësuar”, tha Vuçiç./ Pamfleti
Lini një Përgjigje