
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar eurodeputetët që miratuan liberalizimin e vizave për Kosovën.
Me anë të një postimi në “Twitter”, Kurti shprehet se kjo nënkupton një hap më afër pranë Bashkimit Evropian.
“Lajm i mirë për Kosovën sot! Parlamenti Evropian miratoi udhëtimin pa viza për qytetarët tanë duke filluar nga 1 janari 2024. Kjo na sjell një hap të rëndësishëm më pranë Bashkimit Evropian dhe duke kontribuar në pasurinë që ofron BE. Faleminderit eurodeputetëve për mbështetjen e tyre”, ka shkruar Kurti.
Gjithashtu një reagim ka bërë edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila ka thënë se vendimi i sotëm final për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është fitore, jo vetëm për vendin, por për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë.
“Më 1 janar 2024, qytetarët tanë më në fund do të ndihen të barabartë me popujt tjerë evropian, për të lëvizur lirshëm në kontinentin që ata i përkasin, e për të cilin kanë kontribuar ndër shekuj. Tanimë, lëvizja në shtetet evropiane është më e lehtë, familjet tona janë më afër dhe mundësitë për avancim e bashkëpunim më të mëdha”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Kujtojmë se Parlamenti Evropian i ka thënë PO liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Anëtarët e Parlamentit Evropian, ditën e sotme votuan pro liberalizimit të vizave për Kosovën. Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola tha se nuk ka marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit të BE-së për liberalizimin e vizave dhe se do të shkojnë direkt me votim.
Lini një Përgjigje