TAGS-AT E JAVËS

Kosova18 Prill 2023, 07:37

Ambasadori gjerman: Koha të zbatohen pikat e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Shkruar nga Pamfleti

Ambasadori gjerman: Koha të zbatohen pikat e marrëveshjes

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde deklaroi se të gjitha marrëveshjet mes Kosovës e Serbisë duhet të zbatohen, duke u pajtuar plotësisht me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, i cili të dielën ka thënë se pa vonesa do të zbatohen marrëveshjet mes dy vendeve.

Kurti tha të dielën se për marrëveshjen e fundit me Serbinë u negociua 2 vjet, duke kërkuar që ajo të zbatohet plotësisht dhe pa vonesë.

“Ne kemi kaluar 2 vitet e fundit në Bruksel duke negociuar një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Më 18 mars në Ohër, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell njoftoi zyrtarisht marrëveshjen. Ajo që është rënë dakord duhet të zbatohet plotësisht. Asnjë zbatim i pjesshëm; pa vonesa”, shkruan Kurti në Twitter.

Në mbrëmje, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se pajtohet plotësisht me atë që tha Kurti.

“Plotësisht dakord, zbatimi i plotë i të gjitha pikave të marrëveshjes nga Kosova dhe Serbia është nevoja e kohës!”, ka shkruar Rohde.

Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në Ohër më 18 mars, ndonëse nuk është nënshkruar nga asnjëra palë, pasi këtë nuk e pranuar Serbia, pasi Beogradi zyrtar ka kontestuar disa pika të marrëveshjes, përfshirë edhe mos pengimin e Kosovës që të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare.

ambasadori gjerman marreveshje kosove serbi

Lini një Përgjigje