
Përfaqësuesit e partive kryesore politike në Kosovë kanë rënë dakord që 7 qershori të jetë data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ky konsensus u arrit pas takimit që partitë zhvilluan me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, tha se për ta çdo datë brenda afatit kushtetues është e pranueshme, por shtoi se ekziston pajtim i gjerë nga shumica e partive për datën 7 qershor.
“Për ne çdo datë brenda afatit është në rregull, por ka pajtim nga shumica për 7 qershorin”, theksoi Hamza.
Edhe përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, konfirmoi se ka dakordësi për këtë datë. Ngjashëm u shpreh edhe Jehona Lushaku-Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Kujtojmë se vendimi për zgjedhje të jashtëzakonshme erdhi automatikisht pas dështimit të Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur presidentin e ri të vendit brenda afatit kushtetues. Opozita (PDK, LDK dhe AAK) bojkotoi seancën e fundit, duke pamundësuar arritjen e kuorumit të nevojshëm. Si pasojë, Kuvendi u shpërnda automatikisht sipas Kushtetutës.
Këto do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare brenda pak më shumë se një viti, duke reflektuar krizën e thellë politike dhe polarizimin mes pozitës dhe opozitës në Kosovë. Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të nisë menjëherë përgatitjet për organizimin e procesit zgjedhor më 7 qershor 2026.
Lini një Përgjigje