TAGS-AT E JAVËS

Kosova18 Prill 2025, 20:59

Ngërçi në Kuvendin e Kosovës, Osmani dhe Kurti heshtin; ende asnjë zgjidhje!

Shkruar nga Pamfleti

Ngërçi në Kuvendin e Kosovës, Osmani dhe Kurti heshtin;

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk treguan se si do të zhbllokohet procesi i konstituimit të legjislaturës së re. Përfaqësues të Vetëvendosjes theksuan se është siguruar shumica dhe se rezultatet e kësaj do të shihen të shtunën, ditë për kur është planifikuar vazhdimi i tretë i seancës konstituive.

Dy përfaqësuesit më të lartë shtetërorë kanë refuzuar të flasin për zgjidhjen që i duhet dhënë ngërçit në konstituimin e institucioneve të reja.

Pasi të martën dështoi konstituimi i legjislaturës së re, presidentja Vjosa Osmani ka theksuar nëpërmjet një përgjigjeje për kryesuesin e seancës, se zgjidhja duhet gjetur brenda Kuvendit. Por, një ditë pas dështimit të radhës për të gjetur zgjidhje, Osmani nuk ka dhënë një sugjerim të ri, duke u arsyetuar se nuk ishte vendi i duhur për këtë.

“Ju e dini që e kemi një praktikë që çdo herë kur i përkujtojmë dëshmorët dhe martirët për shkak të nderimit ndaj tyre, nuk përziejmë tema politike me këtë nderim”, ka thënë Osmani.

Bllokada në seancën konstituive është krijuar, meqë të martën nuk u miratua raporti i komisionit për verifikimin e mandateve. PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kundërshtuan dokumentin nën arsyetimin se anëtarët e qeverisë nuk kanë dhënë dorëheqje para se t’i marrin mandatet si deputetë.

Raporti nuk u vu në votim as në vazhdimin e seancës dy ditë më vonë, meqë palët kanë pikëpamje të ndryshme mbi procedimin e dokumentit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka treguar nëse partia e tij ka siguruar votat e mjaftueshme për ta tejkaluar ngërçin në vazhdimin e tretë të seancës, që është planifikuar për të shtunën.

Ajo është nesër a po?” ka thënë ai.

Por, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se Vetëvendosja e ka siguruar shumicën.

Patjetër që numrat i kemi. Ne jemi të vetëdijshëm, të gjithë, që Lëvizja Vetëvendosje është partia fituese dhe nuk është fituese dosido... Opozita duke e parë këtë rrezik për ta e pengoi që dy seanca radhazi konstituimin e Kuvendit që është një goditje ndaj demokracisë...” ka thënë ai.

Ai ka paralajmëruar mundësinë edhe për konfirmimin e koalicionit me Nismën dhe ka thënë se Vetëvendosja është përcaktuar edhe për kandidatin për kryeparlamentar.

Besoj që kjo do të bëhet e ditur nesër, të shtunën kur edhe është planifikuar dhe seanca e radhës... Patjetër që ne nuk futemi në seancë pa pasur emër (kryeparlamentarit)”, ka thënë ai.

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë subjekt i parë në zgjedhje, duke siguruar 48 nga 120 vendet në Kuvend. Për ta votuar kryeparlamentarin dhe për ta formuar qeverinë, i duhet mbështetja e së paku 13 deputetëve të subjekteve të tjera politike./KohaTv

Lini një Përgjigje