TAGS-AT E JAVËS

Kosova17 Prill 2025, 13:51

Kosova në krizë politike, dështon sërish seanca për konstituimin e Kuvendit

Shkruar nga Pamfleti

Kosova në krizë politike, dështon sërish seanca për

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar sërish ditën e sotme. 

Kosova ka hyrë në krizë të fortë politike. Partitë politike në Kosovë akuzojnë njëra tjetrën për dështimin e seancës konstituive të Kuvendit, çka rrezikon të çojë vendin drejt një krize institucionale.

Ka dështuar sërish ditën e sotme seanca për konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës. Seanca dështoi për shkak se nuk doli në votim raporti për verifikimin e mandateve. 

Seanca e sotme ishte vazhdim i seancës të së martës, ku dështoi të votohet raporti për verifikimin e mandateve të deputetëve. Seanca e radhës do të mbahet më 19 prill, në orën 12:00.

Kryesuesi i seancës, deputeti i zgjedhur i LVV-së, Avni Dehari, tha se “nuk pati konsensus” në konsultimet që i thirri paraprakisht me përfaqësuesit e partive politike.

“Takimi shpërfaqi qëndrimet aktuale të tyre. Pati përfaqësues që e braktisën konsultimin. Fatkeqësisht nuk pati konsensus. Seanca do të vazhdojë brenda 48 orëve, në orën 12:00 më 19 prill 2025, me shpresë që deri atëherë të ketë pajtueshmëri”, u shpreh ai.

“Ju faleminderit të gjithëve dhe mirupafshim së shpejti”, shtoi Dehari, ndërsa deputetët nisën të dilnin nga salla kryesore e Kuvendit.

Para ndërprerjes së seancës, të pranishëm në sallë ishin 100 deputetë.

Deputetët e partive opozitare PDK, LDK dhe AAK më 15 prill refuzuan të miratonin raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve, duke bllokuar vijimësinë e seancës, që do të duhej të përmbyllej me betimin e deputetëve dhe zgjedhjen e kryetarit e nënkryetarëve. PDK dhe LDK, thanë se nuk e pranojnë dorëheqjen e dorëzuar rishtazi të Kurtit dhe anëtarët e tjerë të qeverisë të zgjedhur deputetë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e cilësoi si “sulm brenda institucional” kundër Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike mosvotimin e raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.

Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha në përgjigjen e letrës së dërguar nga Avni Dehari, se seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, e cila u ndërpre të martën, duhet të vazhdojë brenda 48 orëve nga ndërprerja, ashtu siç e parashohin ligjet.

“Ju rikujtoj se fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, ju obligon që seancën konstituiv ta vazhdoni jo më vonë se brenda 48 orëve nga ndërprerja e saj”, thuhet në përgjigjen e Osmanit për kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari.

Sipas Deharit, “letra ka dhënë sqarime në një aspekt, por nuk ka dhënë zgjidhje përfundimtare”.

LVV-ja pretendon se e ka shumicën e votave të nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por në seancën konstituive që nisi të martën nuk u dëshmua kjo, pasi raportin e komisionit të përkohshëm parlamentar për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve e votuan vetëm 52 deputetë, 46 ishin kundër dhe 11 abstenuan.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja votuan kundër këtij raporti të martën, pasi thanë se në të kundërtën do ta shkelnin ligjin. Ato thanë se Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë qeveritarë që janë zgjedhur deputetë do të duhej të jepnin dorëheqje paraprakisht, sipas ligjit të ri për Qeverinë.

LVV-ja pretendoi se në komisionin e përkohshëm atë ditë kishte paraqitur një letër e dorëheqjes së Kurtit nga pozita e kryeministrit, por këto parti nuk e konsiderojnë atë akt të njëmendtë dorëheqjeje. Në fakt kështu mendon edhe Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, i cili letrën e konsideron “jovalide” dhe thotë se s’ka “asnjë vlerë”.

Lini një Përgjigje