
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte tha se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë "kompromiset e duhura" në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, “të dyja palët duhet të fokusohen në përfitimet afatgjata”.
Ai tha se e kuptonte që kërkonte marrjen e vendimeve të vështira, por tha se kishte nevojë të shikohej "pamja më e madhe".
“NATO do të vazhdojë të mbështesë plotësisht normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, nën udhëheqjen e BE-së.
Kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura, për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe për të mbrojtur të gjitha komunitetet.
Për të çuar përpara këtë dialog, të dyja palët duhet të demonstrojnë fleksibilitet, të bëjnë kompromise të përshtatshme dhe të fokusohen në përfitimet afatgjata.
Unë e kuptoj plotësisht se kjo kërkon marrjen e vendimeve të vështira, por ne duhet të shohim pamjen më të gjerë.
Normalizimi sjell stabilitet më të madh, më shumë mundësi investimi dhe, për rrjedhojë, siguri më të madhe afatgjatë për të gjithë rajonin, në dobi të të gjithëve.
“Ky është mesazhi që do të vazhdoj ta përsëris”, tha ai në konferencën e përbashkët me presidentin Osmani.
Rutte: Angazhimi i NATO-s për stabilitet mbetet i palëkundur
Rutte siguroi gjithashtu se angazhimi i NATO-s për stabilitet dhe paqe në Kosovë dhe rajon mbetet i palëkundur.
“Trupat tona punojnë pa u lodhur për të siguruar një mjedis të rregullt dhe të sigurt, në përputhje me mandatin e KFOR-it. Një rajon më i sigurt do të thotë më shumë siguri për të gjithë zonën e NATO-s," tha ai.
Rutte shtoi se “ne jemi të gatshëm t'i përgjigjemi çdo zhvillimi në situatën e sigurisë. “Dhe në këtë kuptim shpresojmë të shohim bashkëpunim edhe më të thellë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it. NATO do të vazhdojë të luajë rolin e saj brenda mandatit të saj për sigurinë e të gjithëve. “Ne po e bëjmë këtë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe rolet tona përkatëse”, tha ai.
Rutte shtoi se të gjitha palët duhet të zgjedhin diplomacinë në vend të dhunës.
Lini një Përgjigje