Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë ditën e sotme ka folur për listën e masave kundër Kosovës që janë prezantuar nga Komisioni Evropian para Parlamentit Evropian.
Kurti para ministrave ka thënë se, “me raste kemi qenë kritik ndaj Bashkimit Evropian”, por sipas tij asnjëherë nuk janë treguar “as cinik e as të hidhëruar”.
“Komisioni Evropian dje ka prezantuar para Parlamentit Evropian një listë të masave kundër Kosovës. Bashkimi Evropian tek Kosova e gjen partnerin dhe aleatin më të sinqertë dhe të qëndrueshëm të vlerave evropiane, parimeve demokratike dhe interesave afatgjate.
“Kosova të tillë e ka Qeverinë, të tillë e ka popullin, së pari popullin e pastaj Qeverinë. Me raste kemi qenë kritik ndaj Bashkimit Evropian por asnjëherë as cinik e as të hidhëruar nuk jemi as sot”, shtoi Kurti.
Ai ka theksuar se e vlerësojnë përkrahjen dhe ndihmën e BE-së përgjatë gjithë këtyre viteve dhe mezi e presim pyetësorin për anëtarësim.
“Evropa është kontinenti ynë e Bashkimi Evropian është fati ynë”, është shprehur Kurti.
Në diskutimin që të martën është mbajtur në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian drejtori i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman, ka paralajmëruar se do të merren një sërë masash ndaj Kosovës.
Masat e paralajmëruara përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave dypalëshe, si dhe mosprocedimin në këtë moment të propozimit të dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor. Koopman ka theksuar se masat do të hyjnë në fuqi në fund të kësaj jave.
Por disa eurodeputetë kanë ngritur pyetje se pse masat po merren vetëm ndaj Kosovës.
Eurodeputeti holandez Thijs Reuten ka pyetur emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, se “pse po i bëhet thirrje vetëm Kosovës”.
“A mund ta shpjegoni se pse mbi një dekadë, nuk kemi marrë një qëndrim më të fortë ndaj dikujt që e ka kthyer eskalimin e deeskalimin në një lloj arti. Së fundi, pas mosnënshkrimit të marrëveshjes, duke u kthyer në Beograd, z. Vuçiç fyu në parim marrëveshjen e arritur. Disa ditë më vonë një komisioner shkon në derë me 600 milionë euro. Ky është sinjal që nuk na duhet kur kemi të bëjmë me autokrat”, ka thënë Reuten.
Lini një Përgjigje