LDK do të mbledhë Kuvendin e saj më 31 janar, ndërsa do të vendoset për drejtimin e ardhshëm të kësaj force politike. Pas rezultatit zhgënjyes në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, Lumir Abdixhiku është përballur më kërkesa për dorëheqje, ndërsa ai është shprehur se qëndrimin i tij ose jo në krye të LDK-së do të përcaktohet nga forumet e kësaj partie.
Në një postim të fundit në rrjetet sociale, Abdixhiku, ka njoftuar se të shtunën do të mbahet një takim i rëndësishëm i anëtarëve të partisë për të diskutuar dhe vendosur mbi çështjet e rëndësishme të partisë.
Abdixhiku tha se LDK nuk është parti që frikësohet nga anëtarësia e vet dhe gjithmonë ka marrë vendime hapur dhe me shumicë në Kuvend.
Ai theksoi se ky proces do të bëjë LDK-në më të fortë dhe më të organizuar, duke shtuar se delegatët do të mblidhen për të vendosur për të ardhmen e partisë dhe të Kosovës.
“LDK nuk është parti që frikësohet nga anëtarësia e vet, as nga vota, as nga gara. Vendimet e saj i ka marrë gjithmonë në Kuvend, mes njerëzve të vet, hapur, me debat dhe pa frikë; dhe në fund, me shumicë. Edhe në kohë shumë më të vështira se kjo.
Kështu do të veprojmë sërish, këtë të shtunë.
Këtë të shtunë mblidhemi për të diskutuar dhe për të vendosur mbi të gjitha çështjet tona, me vullnet të lirë dhe me votë të lirë, ashtu siç i takon një partie demokratike që respekton anëtarësinë e saj dhe asnjë interes tjetër veç saj. Ky është parimi ynë dhe mënyra jonë e veprimit. LDK nuk di ndryshe.
Koha tani të flasë anëtarësia jonë.
Nga ky proces do të dalim më të fortë, më të organizuar, më funksional e më të përqendruar te e ardhmja e LDK-së dhe e Kosovës.
Sot kam dërguar ftesën zyrtare për delegatët e LDK-së. Të shtunën takohemi për të vendosur drejtimin e shtëpisë sonë”, shkruan Abdixhiku.
Lini një Përgjigje