TAGS-AT E JAVËS

Kosova24 Janar 2026, 12:28

Kurti 'i prerë': S'ka amnisti për komisionerë dhe persona të përfshirë në vjedhje votash!

Shkruar nga Pamfleti

Kurti 'i prerë': S'ka amnisti për komisionerë dhe

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për hetim gjithëpërfshirës dhe ndëshkim për personat e dyshuar për manipulim të votave brenda partive politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Thirrja e Kurtit, liderit të partisë fituese të zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje, vjen pasi autoritetet i ndaluan mbi 100 persona të premten nën dyshimin për keqpërdorim të votave të zgjedhjeve të muajit të kaluar.

Kurti, i cili u kritikua për mungesë reagimi ndaj dyshimeve për manipulime të votave, tha se “komisionerë e individë, që në mënyrë klandestine, janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike duke dëmtuar kolegë e subjekte politike nuk kanë amnisti”.

Javën e kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua ta nisë rinumërimin e plotë të votave, pasi konstatoi mospërputhje në votat për kandidatët për deputetë.

Kurti shtoi se partia e tij “ka qenë gjithnjë gardiane e ruajtjes së vullnetit politik të shprehur përmes votës në kuti të votimit dhe ashtu do të qëndrojë përherë”.

Kur rinumërimi përfunduan në pothuajse gjysmën e vendvotimeve, rezultoi se rreth 80 mijë vota janë të pasakta, sipas Eugen Cakollit nga organizata joqeveritare, Instituti Demokratik i Kosovës.

Në mesin e kandidatëve për deputetë të cilëve u janë hequr më së shumti vota gjatë rinumërimit ka nga partitë kryesore, përfshirë vetë Vetëvendosjen.

Kurti këmbënguli se dyshimet duhet të hetohen dhe se “manipuluesit duhet të ndëshkohen, këto raste nuk duhet të na shfaqen kurrë më në të ardhmen”.

Autoritetet janë duke kryer hetime në tri komuna, Prizren, Ferizaj dhe Malishevë, me Prizrenin që dyshohet si vendi ku ka pasur më së shumti manipulime të votave.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha të premten se të ndaluarit në rajonin jugor të vendit janë kryesisht komisionerë dhe në mesin e tyre ka edhe familjarë të kandidatëve për deputetë.

Ata dyshohen për falsifikim të rezultateve zgjedhore, presion dhe kanosje dhe për dhënie e marrje të ryshfetit.

Sipas tij, një manipulim i tillë nuk ka mundur që të ndodhë pa një kompromis mes komisionerëve të katër partive më të mëdha politike.

“Po flasim për komunën e Prizrenit që janë shtuar hiç më pak se 40.497 vota dhe janë hequr hiç më pak se 27.520 vota. Pra, diferenca totale e keqpërdorimeve është 68.017 vota”, tha Kryeziu.

Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.

Megjithatë, organizata joqeveritare 'ÇOHU' publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.

Shumica e kandidatëve për deputetë të cilëve u janë hequr më së shumti vota gjatë rinumërimit, e kanë mohuar të kenë pasur gisht në keqpërdorim dhe kanë thënë se e dënojnë këtë dukuri./ REL

1 Komente

  1. H
    Halili

    Propozoj që Shqipëria të bashkohet me Dardaninë e z.Kurti.Dhe n.q.s bëhen zgjefhjet e rradhës nuk e di se kush mund të fitojë por një gjë e kam të sigurt që Ps dhe Pd nuk do ketë asnjë deputet në parlament por do jenë të veshur me ngjyrë portokalli si të jashtëligjshëm në një burg shumë të madh pa dyer ku ushqimi ti shkojë me Helikopter.

    Lini një Përgjigje