
Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zgjedhës në seancën e pasdites së sotme drejtuesin e ri të Parlamentit, ndërsa seanca vijon të mërkurën. Duket se kjo kohë është në dispozicion të partive për të gjetur një kompromis.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar arritjen e një marrëveshje politike për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por PDK dhe LDK janë pozicionuar kundër emrit të Albulena Haxhiu.
“VV, padyshim ka të njëjtin emër, Albulena Haxhiun si e propozuar. Ne meqenëse e kemi parë që të gjitha subjektet politike nga dje kishin paralajmëruar se do të kenë qëndrimin e njëjtë, mendoj se në këtë situatë politike nuk mund të zgjidhet përveç se me një marrëveshje politike.
Pa krijimin e një mazhorance, për kryetarin e Kuvendit nuk do të mund të konstituohet vetë Kuvendi. E njëjta logjikë është edhe për nënkryetarë”, tha Konjufca.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati në emër të Lëvizjes Vetëvendosje akuzoi opozitën për bllokim të konsitutimit të Kuvendit. Ai tha se të gjitha subjektet duhet te votojnë propozimin e VV për kryetar të Kuvendit. Murati tha se Albulena Haxhiu është emri i propozuar nga Vetëvendosje dhe shtoi se nuk mund të bëhen pjesë e lojërave për emrat e propozuar. Murati tha se shpreson që opozita të reflektojë dhe te votojë kreun e Kuvendit. Ai tha se synon që te mos vijnë deri te zgjedhjet, por edhe për këtë çështje duhet konstituuar Kuvendi.
Kryetari i PDK, Memli Krasniqi, deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje duhet të ndryshojë kandidat për kryetar të Kuvendit pasi kanë edhe 47 deputetë të tjerë pasi Albulena Haxhiu nuk do të kalojë. Ai tha se Haxhiu është simbol i dështimit të Qeverisë së Albin Kurtit. Ai tha nuk ka nevojë të ketë marrëveshje politike për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Krasniqi shtoi se nuk mund te mbahet peng Kuvendi për shkak të Albulena Haxhiut.
Hykmete Bajrami nga LDK tha se kërkesa për kohë shtesë nga Vetëvendosje për marrëveshje politike kur thonë se nuk do të ndryshojnë emrin e kandidates dhe insistojnë se është e drejtë e tyre kjo nuk tregon vullnet për marrëveshje të mundshme politike. Ajo shtoi se LDK nuk ka votë “pro” as për Albulena Haxhiun as për ndonjë kandidat tjetër nga VV për kryeparlamentar.
Lini një Përgjigje